Integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është prioritet i Gjermanisë, deklaroi këshilltarja e Lartë e Përfaqësuesit Special të Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Valeska Esch, në edicionin e tretë të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci që po mbahet në Prishtinë.

Ajo tha se Procesi i Berlinit është esencial për mbështetjen e rajonit në rrugën e tij drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

“Për ne është edhe më e rëndësishme integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, dhe për ata që duan të anëtarësohen në NATO… Është një çështje që ka mjaft konsensus dypartiak mes pothuajse të gjitha partive politike në Bundestagun gjerman. Pra, mund të jeni vërtet të sigurt se edhe një qeveri e ardhshme gjermane do të mbajë fokusin në rajon. Gjermania vazhdon të jetë ndër donatorët dhe investitorët më të mëdhenj në të gjithë rajonin. Dhe do të doja të përmend shkurtimisht edhe Procesin e Berlinit, i cili është një format që kjo qeveri e ka ringjallur, apo rigjallëruar dhe e konsiderojmë kyç në mbështetjen e rajonit në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: