Këshilltarja e PD në Bashkinë e Tiranës, Enriketa Papa, me anë të një postimi në rrjetet sociale, shprehet se autobusët e Unazës “Green line” vazhdojnë që të shkaktojnë aksidente. Ajo thekson se urbanët janë kthyer në shqetësim dhe rrezik për qytetarët.
Papa shton se do i kërkojnë Bashkisë të rishikojë kontratat me operatorët e transportit publik, duke i paraqitur Këshillit Bashkiak, raportet e bashkisë me kompanitë përkatëse.
Postimi i këshilltares së PD-së në Bashkinë e Tiranës, Enriketa Papa:
Autobuzët e unazës, “Green line” vijojnë të shkaktojnë aksidente, duke u kthyer në shqetesim dhe rrezik për qytetarët. Ndërkohë, asnjë masë nuk është marrë për t’u siguruar, që kjo linjë t’i kalojë kontrolleve dhe auditeve të pavarura. Gjithçka është lënë në përgjegjësinë individuale të shoferëve dhe gjendjes se tyre shëndetësore. Kompania vijon të operojë e pashqetësuar me autobuzët e saj problematikë.
Grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD do të kërkojë transparencë, përgjegjësi dhe llogari nga Bashkia Tiranë, mbi një sërë shqetësimesh dhe pyetjesh, mbi sigurinë e transportit publik në kryeqytet dhe gjendjen aktuale të mjeteve të transportit.
Do i kërkojmë Bashkisë të rishikojë kontratat me operatorët e transportit publik, duke i paraqitur Këshillit Bashkiak, raportet e bashkisë me kompanitë përkatëse.
Për situatën dhe gjendjen e transportit publik, do depozitojmë një kërkesë për transparencë, duke i drejtuar bashkisë disa pyetje:
– Si funksionin inspektimi nga Bashkia Tiranë i respektimit të rregullave të sigurisë rrugore?
– A kryen kontrolle dhe audite Bashkia mbi personelin që operon në autobuzët e linjave të Tiranës?
– A janë konstatuar mospërputhje të cilësisë së autobuzëve që operojnë me rregulloret e sigurisë?
– Sa kontrolle ka kryer Bashkia Tiranë në 4 vjetët e fundit për përshtatshmërinë e personelit operativ të autobuzëve për: lëndime, lodhje, kohëzgjetjen e turneve të punës, kontrolli i syve, ose dëshmi të gjendjes shëndetësore?
– A ka inspektime të pajisjeve të autobuzëve?
– A ktyhen kontrolle të pajisjeve të komunikimit me radio ose mjete digjitale, me të cilat operojnë mjetet dhe qendrat e kontrollit të trafikut urban?
– A ruhen dhe gjurmohen komunikimet?
– A ka patur defekte të mjeteve të komunikimit? Sa?
– A janë konstatuar zona apo pika të vdekura, ku s’ka valë dhe s’ka komunikim?
– Sa janë shoferët të aftë të ndjekin dhe të identifikojnë rregulloret dhe kërkesat për drejtimin e autobuzëve?
– A kontrollohen tahografët?
– A kryhen dhe a raportohen inspektime të mjeteve para udhëtimit?
– Sa autobuzë kanë inspektuar dhe kanë rezultuar me një sërë defektesh në komponentë dhe pjesë që mund të ndikojnë në performancën e sigurisë së automjetit?
– Sa ndikojnë ngushtimet, rregullimet, hapjet e kantierëve të ndërtimit në aksidentet rrugore?
– A ka Bashkia Tiranë raportime periodike mbi aksidentet, shkaqet apo pasojave të tyre në përmisimin e transportit publik në Tiranë?
– A ka studime mbi ecurinë, problematikat, prognozën dhe projekte mbi transportin publik në Tirane?
(BalkanWeb)