NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Këshilltarja e DPIU-së, Albina Nanaj, është një prej risive të Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkak të shamisë që ajo mban në kokë, duke thyer kështu një tabu. Për herë të parë në një institucion vendimmarrës si është ‘parlamenti’ i Tiranës është ulur një femër, e cila ka zgjedhur ta shfaqë identitetin e saj fetar përmes shamisë, mbulesës së kokës. Në një intervistë për “GSH”, Nanaj tregon lidhjen e saj me besimin islam si dhe me politikën. Po ashtu, 28-vjeçarja tregon se edhe pse origjina e saj nuk ka lidhje me Çamërinë, çështja çame është një çështje kombëtare, pasi ka të bëjë me identitetin dhe dinjitetin tonë si shqiptarë. “Unë kam lindur në qytetin e Fierit. Nuk kam lidhje familjare me Çamërinë. Jam rritur duke admiruar komunitetin çam për shkak të vlerave që mbartin dhe për shkak të padrejtësisë që iu është bërë. Personalisht mendoj se çështja çame është një çështje kombëtare, pasi ka të bëjë me identitetin dhe dinjitetin tonë si shqiptarë”, thekson Nanaj, këshilltarja e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Zonja Nanaj, kur ka nisur lidhja mes jush dhe besimit islam?
Si lidhje fillestare mund të them se ka ekzistuar që nga lindja. Që në kujtimet e para që arrij të kujtoj, e mbaj mend veten time si besimtare të Zotit një dhe të vetëm. Gjatë adoleshencës kam qenë në kërkim e sipër të përgjigjeve në lidhje me Zotin dhe pikërisht gjatë jetës studentore jam afruar më shumë me islamin, pas leximeve të gjata të literaturave të ndryshme dhe të vet Kru’anit. Frekuentoja më shpesh xhamitë e Tiranës dhe kjo gjë shtoi dëshirën time për të qenë jo vetëm dashamirëse e islamit si një myslimane në rrënjë, por edhe një praktikante e mirë. Besimi fetar është diçka e brendshme, që nuk mund të ta imponojë apo ndalojë askush apo asgjë. Është një vokacion që buron nga paqja që të ofron marrëdhënia me hyjnoren. Është nevoja e shpirtit për t’u lartësuar, për të përmbushur qëllimin e ekzistencës së tij.

Për çfarë i keni përfunduar studimet?
Kam përfunduar studimet master në Biologji Mjedisi në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Tiranë me rezultate shumë të mira. Prej katër vitesh punoj si përkthyese televizive në kompani private. Gjatë kësaj periudhe gjithashtu jam angazhuar në projekte vullnetare në fushën e mjedisit dhe të jetuarit shëndetshëm. Ndoshta për shkak të formimit tim dhe të fushës së studimeve jam shumë e fokusuar në përmirësimin e mirëqenies dhe të jetuarit në harmoni me mjedisin.

Fakti që jeni myslimane praktikante a ju ka sjellë pengesa?
Të jem e sinqertë, personalisht nuk kam pasur pengesa as në fakultet, as në familje, as në shoqëri dhe as në punësim, por kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë paragjykimet dhe stigmatizimet për vajzat si unë. Sidoqoftë, këto nuk i kam parë ndonjëherë si pengesa, por thjesht si opinione paragjykuese dhe asgjë më shumë. Edhe kjo gjë është relativisht e justifikuar për shkak se ne jemi i vetmi vend në botë ku feja ka qenë e ndaluar me ligj dhe ndëshkimet për ata që praktikonin besimin e tyre kanë qenë nga më poshtërueset dhe më mizoret. Shqiptarët e harruan identitetin e tyre fetar dhe hodhën poshtë çdo vlerë që feja ofronte. E mbushën veten me mllef të pajustifikuar ndaj saj. Harruan se nënat, motrat dhe gratë e tyre qoftë myslimane apo të krishtera gjithmonë janë mbuluar dhe janë veshur në mënyrë modeste. Kostumet popullore që i ruajmë me aq fanatizëm si vlerë të paçmuar të kulturës sonë nuk i kanë veshur vetëm valltaret, por edhe gratë e thjeshta.

Dhe familjarët tuaj janë praktikantë të besimit islam?
Disa prej familjarëve të mi janë dashamirës të fesë islame dhe praktikojnë disa prej obligimeve fetare. Të tjerët janë praktikant të devotshëm dhe përpiqen të jenë myslimanë të mirë.

Si ka qenë afrimi juaj me politikën?
Kur ka nisur aktivizimi juaj i parë? PDIU, kryetari dhe strukturat e saj kanë mbështetur prezencën time në Këshillin Bashkiak. Para këtij angazhimi nuk kam pasur aktivitet politik me asnjë forcë apo grupim politik. PDIU funksionon si një familje e madhe që mbështet dhe përçon vlera. Në bazat e saj qëndron çështja çame si një çështje dinjiteti kombëtar, por natyra e saj gjithëpërfshirëse e ka bërë një forcë dinamike gjithmonë e në rritje në çdo vatër shqiptare që nga Konispoli në Tropojë e nga Lezha në Dibër.

Çfarë mendon se mund të sjellë prania juaj në këshill bashkiak?
Prezenca ime në këshill ka të bëjë me vokacionin tim për të kontribuar për komunitetin dhe kryesisht shtresat në nevojë. Unë dhe kolegët e mi të PDIU do të përpiqemi të përfaqësojmë zërin e çdo qytetari të ndershëm të Tiranës, duke synuar të rrisim mirëqenien dhe cilësinë e jetesës në qytetin tonë të dashur. Ne do të ofrojmë energjitë dhe potencialet tona për të realizuar këto qëllime.

Si është pritur nga anëtarët e tjerë prezenca juaj, ka pasur reagime?
Reagimet kanë qenë tejet pozitive nga anëtarët e tjerë. Kam marrë urimet dhe mbështetjen e shumë prej figurave intelektuale në këshill. Ndihem vërtet mirë që Tirana përfaqësohet në këtë institucion vendimmarrës me intelektualë të nderuar. Kam bindjen se do të kemi bashkëpunime të frytshme gjatë mandatit tonë.

A është thyerje tabuje zgjedhja juaj në një institucion të tillë vendimmarrës?
Pasi jeni e para femër me mbulesë në një pozicion të tillë. Jam e vetëdijshme dhe e mirëkuptoj reagimin e shumë qytetarëve që mendojnë se është thyer një tabu përmes prezencës sime aty. Sigurisht, duke qenë se ka pasur mungesë në institucione vendimmarrëse të vajzave që kanë zgjedhur ta shfaqin identitetin e tyre fetar përmes shamisë dhe prania ime e ka thyer këtë tabu. Mendoj se shoqëria shqiptare e ka arritur atë gradë të emancipimit sa ta pranojë të ndryshmen dhe të shohë përtej aparencës. Jam shumë optimiste për këtë dhe këtej e tutje do të angazhohem që të realizoj pritshmëritë e atyre që presin diçka ndryshe prej meje.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb