TIRANË

Debat i fortë në studion e “Real Story” në News24 për vendosjen e fotove të dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me rastin e 75-vjetorit të çlirimit.


Analisti Agron Gjekmarkaj mori në analizë luftën antifashiste duke e cilësuar në thelb të drejtë, por sipas tij, heronj nuk duhet të jenë ata që nuk janë vrarë nga armiku por mes shqiptarëve. Ai tha se Bulevard janë vendosur edhe fotot e atyre që përndoqën martirët e Kishës Katolike, ndërsa theksoi se duhet të ketë patjetër një mea culpa nga historianët e shkrimtarët por edhe një kërkim falje nga ata që dhunuan shqiptarët nga 1945 deri në 1990.


Për Sokol Ballën është e pafalshme që ka një palë që nuk e pranon Luftën Antifashiste nacional Çlirimtare. Ndërsa historiani Paskal Milo tha se duhet të ketë kërkim falje edhe nga trashëgimtarët e atyre që bashkëpunuan me fashistët.


Agron Gjekmarkaj: Bie dakord me thelbin e luftës antifashiste që në thelbin e saj ka qenë një gjë e drejtë. Nuk bie dakord me përmasat e saj por shifrat nuk e ndryshojnë thelbin. Sepse ne sot nuk dimë realisht cilat janë betejat e mëdha të kësaj lufte. Ne nuk dimë realisht se sa heronj kemi dhe sa dëshmorë kemi. Nëse kthehemi tek heronjtë, heronjtë tanë janë fatkeq dy herë gjatë historisë. Ne i kemi zhveshur ata nga miteca, i kemi zhveshur nga solemniteti, i kemi bërë objekt propagande, hiberbolash dhe mitologjish të paqena. Asnjë hero nuk do dëshironte të kishte një fat të tillë, siç kanë pasur heronjtë shqiptarë nga 1944 deri në 1990 në tekstet e shkollave të Shqipërisë. Unë kam qenë adoleshent kur ka ndryshuar regjimi por më pas kam pritur një reagim që nuk e kam gjetur as tek historianët, të cilët nuk pranuan kurrë të ishin vegla të regjimit. Nuk e kam gjetur as tek shkrimtarët, të bëjnë një mea culpa, të revizionojnë vetveten dhe çfarë ndodhi? Ata për të mbrojtur të pavërteta që mbrojtën deri në ’90, vazhduan t’i mbrojnë dhe pas ‘90 sepse mbeten pa vepër, mbeten pa punë, mbeten pa rol dhe u bënë pjesë e mizanskenave politike duke ushqyer politikën ende me ideologji të rreme. Në qoftë se kthehemi tek kjo që ndodh në Bulevard, një pjesë e tyre janë heronj të vërtetë që meritojnë respekt. Do t’i referohesha një prelati, i cili vetë u bë martir At Gjon Shllaku që tha pak para se të pushkatohej: ‘Një vend që nuk respekton dëshmorët e vet është një vend që nuk meriton të ketë histori dhe nuk meriton të ketë as të ardhme’. Pra ne duhet t’i respektojmë dëshmorët tanë, por dëshmorët e vërtetë, jo listat e dëshmorëve dhe të heronjve që ka bërë byroja politike në Shqipëri.

Sokol Balla: Ata që janë vrarë nuk janë vrarë?

Agron Gjekmarkaj: Ka disa kategori të vrarësh. Kush e meriton statusin e heroit, e meriton ai që bie në përpjekje me okupatorin. E meriton Qemal Stafa, e meriton Vojo Kushi, Perlat Rexhepi, Branko Kadia, e meritojnë shumë të tjerë.

Sokol Balla: Pse ata që u vranë nga ballistët çfarë janë?

Agron Gjekmarkaj: Nuk e meritojnë ata që kanë vrarë ballistët dhe janë vrarë nga ballistët. Nuk e meritojnë ata që kanë ndjekur Abaz Kupin dhe janë vrarë nga forcat e Abaz Kupit. Absolutisht jo.

Sepse deri në 1943, lufta ka qenë plurale, rezistenca ka qenë pluraliste. Nga Mukja deri në mbarim ka pasur të gjitha trajtat e luftës civile për pushtet. Komunistët e kuptuan dhe ka dokumente pafund që lufta ndryshoi thelbin për arsye pushteti, jo për arsye kauze, jo për arsye drejtësie.

Sokol Balla: Nuk jam dakord me atë që njëra palë ishin mëkatarët dhe pala tjetër ishin shenjtorët. Gjersa flasim për elementë të luftës civile, nuk është se vetëm partizanët kanë shkrehur armën ndaj ballistëve ka pasur dhe ballistë që kanë shkrehur armën ndaj partizanëve.

Agron Gjekmarkaj: Sigurisht ndaj them që kjo kategori nuk e meriton të quhet hero, kjo që janë vrarë shqiptarët me njeri-tjetrin. Pastaj ka edhe një gjë tjetër që është edhe më e poshtër. Cila është? Në qoftë se para 6 vitesh ne e konsideruam një gjetje dhe ishte një gjetje brilante ajo e kryeministrit që i vuri martirët e kishës katolike në Bulevard, sot pas 6 vitesh ai vë aty disa nga ata që i kanë përndjekur që kanë bërë terror më shumë se Turgut Pasha në zonat katolike të Shqipërisë, në Kurbin, në Malësi të Madhe.

Sokol Balla: E diskutuam atë gafën dhe gabimin dhe pse vjen ajo. Ajo vjen për shkak se nuk sillen historianët.

Agron Gjekmarkaj: Nuk mund ta quajmë çështje të injorancës një gjë të tillë në 75-vjetorin e çlirimit. Mund ta quajmë një sinjal, një shkelje syri për një kategori të caktuar elektorale në Shqipëri, për t’u thënë që unë e kam një vështrim për ju.

Debati është i shëndoshë, debat duhet të bëjmë sepse historia në vetvete është dialektikë debati. Nuk mund të jetë totalitare që të biem të gjithë dakord me historinë.

Sokol Balla: Por ndërkohë pala tjetër nuk njeh 29 nëntorin. Pala tjetër sepse këtu janë identifikuar si pala tjetër. Po shihja një opinion të një politikani të njohur, mikut tim të djathtë, i cili fliste, bënte një shkrim dhe titulli ishte ‘75-vjetori i largimit të gjermanëve nga Shqipëria’. Kjo është e padrejtë!

Agron Gjekmarkaj: E di pse janë kaq të ndarë shqiptarët dhe kaq ekstremisht të ndarë sepse ka qenë ekstreme diktatura në Shqipëri, ka qenë e pashoqe dhuna që është ushtruar dhe pasojat që ka shkaktuar. Kjo i ka çuar kaq larg në qëndrime shqiptarët sa e kanë të pamundur të gjejnë një pikë mesi ku të afrohen. Sepse nuk ka një reflektim, nuk ka një falje, nuk ka le të themi një katarsis, nuk ka një kërkim falje nga pjesa që ka ushtruar këtë. Bedri Spahiut i cili ka bërë akte revizionimi në Shqipëri, askush nuk ka pasur kurajë që të shkojë në majë të gishtave të lërë një letër poshtë dere dhe të kërkojë falje për viktimat. Këta janë të gjithë shpirtvdekur dhe shpirtndyrë.

Paskal Milo: Në rast se do të bëhej kjo gjë dhe unë kam uruar që të bëhej. Unë jam marrë me historinë e Shqipërisë, me studime dhe me luftën në mënyrë të veçantë pas viteve ’90. S’kam shkruar asgjë para viteve ’90.

Shoqëria jonë shqiptare duhet të kishte ecur në këto 30 vite gati shumë më shëndetshëm dhe më e unifikuar së bashku sikur të dyja palët të kërkonin falje, jo njëra. Ju bëni gabim që kërkoni falje. Duhet që trashëgimtarët e atyre forcave politike që në Luftën e Dytë Botërore bashkëpunuan me fashizmin, me pushtuesit, janë ata që duhet të kërkojnë falje të parët se pse bashkëpunuan me fashizmin dhe pushtuesin dhe pastaj të dytët që erdhën dhe vendosën diktaturën janë ata që duhet t’u kërkojnë falje shqiptarëve për atë luftë mizore klasash dhe për ato krime që ndodhën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb