Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelitë e 313-ës ku po mbahet në masën arrest në burg prej datës 21 tetor. Në një postim në rrjetet sociale Meta shprehet se ai këtë betejë do ta fitojë, siç thekson, “jo vetëm për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës por kundër narkoshtetit, mafias ndërkombëtare dhe rajonale, që me çdo kusht synon të më mbajë të izoluar në mënyrë ekstreme”.

Meta shton se ai u rrëmbye nga policia dhe po mbahet në izolim për të dëmtuar Partinë e Lirisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ky rrëmbim banditesk dhe izolimi im ekstrem në vit elektoral dhe në prag të dekretimit të datës së zgjedhjeve u bë në funksion për të më pamundësuar ushtrimin e plotë të detyrës time si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend prej 20 vitesh. SPAK ka marrë detyrën të më hetojë politikisht dhe të më izolojë pa asnjë akuzë dhe provë penale vetëm për t’i shërbyer verbërisht padronit të tij të vërtetë, Kryeministrit Edi Rama, në dëm të konkurrencës dhe një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në 11 Maj 2025”, thekson ish-kreu i shtetit.

Postimi

Vlerësoj reagimin publik të rikonfirmuar të ish-Kryeministrit të Italisë, Matteo Renzi për mënyrën e arrestimit tim të shprehur prej tij në formë “shumë elegante” në Syri TV për emisionin “Piranjat”. Por riktheksoj se ishte një rrëmbim kriminal dhe i paligjshëm, nga banditë me maska dhe pa asnjë dokument identifikimi, që nuk treguan asnjë shkresë apo akt zyrtar, që hynë dhunshëm në makinë me armatim të rëndë, që nuk më lejuan të kontaktoja avokatin, që nuk më njohën me të drejtat e mia dhe që po dhunshëm më futën në një makinë private.

Ky rrëmbim banditesk dhe izolimi im ekstrem në vit elektoral dhe në prag të dekretimit të datës së zgjedhjeve u bë në funksion për të më pamundësuar ushtrimin e plotë të detyrës time si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend prej 20 vitesh.

SPAK ka marrë detyrën të më hetojë politikisht dhe të më izolojë pa asnjë akuzë dhe provë penale vetëm për t’i shërbyer verbërisht padronit të tij të vërtetë, Kryeministrit Edi Rama, në dëm të konkurrencës dhe një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në 11 Maj 2025.

Beteja ime, që do ta fitoj padiskutim, nuk është vetëm për mbrojtjen e Demokracisë dhe Shtetit të së Drejtës por kundër Narkoshtetit, mafias ndërkombëtare dhe rajonale, që me çdo kusht synon të më mbajë të izoluar në mënyrë ekstreme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb