Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë të shtunën se janë të gatshme të trajtojnë çdo zhvillim që ka të bëjë më sigurinë, ndërsa ritheksuan mbështetjen ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, lidhur me shtimin e pranisë së forcave paqeruajtëse gjatë ditës së shtunë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, KFOR-i tha se kjo “është pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të veprimit dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”.

KFOR-i, thuhet më tej në përgjigje, “po vëzhgon situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet i gatshëm. Ai është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të dhënë nga Kombet e Bashkuara për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm”.

Gjatë ditës zëvendëskomandanti i trupave të KFOR-it Federico Bernacca, u takua me përfaqësuesit e Listës Serbe, një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe në veri, në një operacion që u kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe ka të ngjarë të rrisë tensionet me Serbinë fqinje.

Zoti Bernacca, sipas një komunikate për shtypin, nënvizoi përkushtimin e KFOR-it “që të kontribuojë për sigurinë dhe qëndrueshmërinë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ndërsa ritheksoi mbështetjen e KFOR-it ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Të premten autoritetet e Kosovës thanë se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave, mes kritikave të perëndimit.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien, tha se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”.

Në një postim në të cilin i bëri jehonë një deklarate të Ambasadës amerikane në Prishtinë, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe qeverisë së tij që të këshillohen dhe bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”

Bashkimi Evropian u shpreh “i zhgënjyer” me mungesën e vazhdueshme të bashkërendimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ofruesit e sigurisë, duke shfaqur shqetësimin se operacioni i së premtes “mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme”.

Një zëdhënëse e NATO-s shkroi se aleanca është e zhgënjyer me operacionet e së premtes në veri të Kosovës “të cilat nuk ishin të bashkërenduara KFOR-in, pavarësisht zotimeve të përsëritura për ta bërë këtë”.

Zëdhënësja Farah Dakhlallah, shkroi se “duhet shtensionim dhe angazhim i plotë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian”.

Qeveria e Kosovës thotë se po vendos rendin në zonë dhe mohon kritikat se ka dëmtuar marrëdhëniet e saj me aleatët.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha të shtunën gjatë një debati në kuadër të forumit “GLOBSEC”, se dallimet me aleatët nuk kanë të bëjnë me synimet e përbashkëta për Kosovën.

“Bashkërendimi me aleatët është një prej aspekteve kyçe të suksesit tonë. Kur bashkërendohemi me aleatët posaçërisht me aleatët e sigurisë në terren, suksesi është më i qëndrueshëm më afatgjatë, por kur nuk e bëjmë këtë është një sukses vetëm momental, mund të duket mirë, mund të tingëllojë mirë, por që pastaj është më i brishtë dhe pastaj mund të bësh hapa mbrapa”, tha ajo, në një deklaratë që pasqyron mospajtimet e saj me shkallën e bashkërendimit të qeverisë me aleatet perëndimorë.

Zyrtarët e Serbisë reaguan me zemërim ndaj operacionit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, akuzoi Prishtinën për “shkeljen e sërishme të të drejtave të serbëve”, ndërsa tha se pret nga NATO-ja “të mbrojë popullin serb në Kosovë posaçërisht në veri të Kosovës”.

Policia e Kosovës, tha të shtunën se situata është e qetë në veri, ndërsa raportoi se pas mesnatës “në afërsi të objektit të ish komunës ilegale në Leposaviq, është hedhur një mjet shpërthyes”, por pa dëme.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.

Por bisedimet 13 vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kanë shënuar përparime të pakta.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë trysi palëve që të zbatojnë një marrëveshje për të cilën ranë dakord në shkurt dhe mars të vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: