Jemi mësuar, por jo me ikjen e njerëzve të tillë, të dashur. Ikja e papritur e mikut tim të rinisë, Kiço Blushit ishte për mua jo vetëm e beftë, por edhe tepër e dhimbshme. Kemi qenë miq të mirë dhe të vërtetë. Miqësia jonë u lidh qysh në vitet studentore. Kiço Blushi hyri në letërsi si një poet i vërtet dhe shumë premtues. E kam dashur dhe e kam vlerësuar gjithmonë jo vetëm për thjeshtësinë e tij të veçantë dhe jo vetëm për vlerat njerëzore, por edhe për vlerat e veçanta krijuese. Qysh në leximin e poezive të tij të para, unë kam parë tek Blushi që kisha të bëja me një poet të vërtetë. Vitet që do pasonin do ma përforconin edhe më tepër këtë ide.
E veçanta e krijimtarisë së tij është krijimi i karaktereve të spikatura, jetësore. Personazhe të qëmtuara nga jeta. Kiço Blushi nuk ishe një shkrimtar qyteti, jeta e tij e gjatë si gazetar, por edhe si skenarist, e kishte kushtëzuar që ai në lëvizjet e shumta nëpër Shqipëri të mbushej me mbresa nga jeta… Ngjarje, tipa karaktere. Letërsia e Kiço Blushit mban aromën e një Shqipërie, të atyre viteve të vështira, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën tonë, në krijimtarinë e tij dhe tashmë janë bërë pronë e letërsisë shqipe… Nuk rri pa kujtuar morinë e personazheve të marra nga jeta e tij si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Të përshkruar aq bukur dhe me aq realizëm në romanin e tij. E tillë ishte dhe Lezja, shoferja malësore e dhënë mjeshtërisht tek drama “Lezja”, vënë në skenë nga trupa e Teatrit të Korçës. Mund të përmendje dhe shumë tregime të këtij autori, të cilat mund të futen denjësisht në një antologji të tregimit më të mirë të letërsisë shqiptare. I tillë është romani që nuk mund të harrohet “Koka e prerë e Ali Pashës”, por edhe romani tjetër edhe më i rëndësishëm, i cili u bë edhe film, “Beni ecën vetë”. Kiço ishte një shkrimtar vëzhgimtar dhe modest. Atij nuk i pëlqente buja, as titujt si “Artist i merituar” apo “Mjeshtër i madh”. Ai ishte i vetëdijshëm për talentin e vet dhe për krijimtarinë e vet… Të paharruar do të mbeten më kujtesën e të gjithë shqiptarëve filmat “Beni ecën vetë” dhe “Në shtëpinë tonë”, me regji të Dh.Anagnostit. Shkrimtari Kiço Blushi ishte njohës i mirë i jetës dhe i personazheve që ka përshkruar në librat e veta. Mbi të gjitha, ai bënte një krijimtari realiste të vërtetë dhe afatgjatë. Ai i përkiste racës së shkrimtarëve si Turgenievi dhe Çehovi, Mopasani dhe Cvajku.
Mbi të gjitha, Blushi ishte edhe një mik i mirë. Mund ta quaje me plot gojën një mik i heshtur, një mik i mençur, një mik nga i cili mund të përfitoje jo vetëm nga talenti i tij dhe eksperienca e vet jetësore, por nga batutat e tij plot humor, që shpërndante me kursim në shoqërinë e tij të ngushtë… Te Kiço Blushi mik e bashkëmoshatar unë shihja njeriun si duhet të jetë dhe shkrimtarin model, krijuesin e thjeshtë, të mençur dhe me vizion, një shkrimtar i cili duhet të imitohet nga brezat që vijnë.
Vitet e fundit takimet tona kanë qenë të rralla. Ai fliste pak, por prekte gjëra esenciale. Shkruante pak, kryesisht publicistikë, por prekte probleme esenciale… Kur mora vesh sëmundjen e tij u trishtova shumë, mirëpo duke parë natyrën e tij të qetë, të përzemërt dhe optimiste, mendova se ikja e tij do të vinte në ditë të largët. Dita e ikjes së tij nuk ishte e largët, por të tashmë na ngushëllon ideja se shkrimtarët e vërtetë si Kiço Blushi nuk ikin. Jeta e tyre mund të jetë e shkurtër, por arti i tyre do të jetë afatgjatë. Ditët që jetojmë janë antiart dhe antiletërsi. Në ditët që jetojmë populli ka probleme ekonomike. Letërsia dhe arti në këto tri dekada ka një rënie të madhe interesi. Mirëpo unë mendoj se do të vijë një ditë kur krijimtaria e Kiço Blushit për vetë vlerat e saj të veçanta do të vendoset në panteonin e letërsisë më të mirë shqiptare. Nuk iku shkrimtari i madh dhe Kiço Blushi shkrimtar, iku vetëm miku ynë i veçantë dhe i paharruar.