Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiga, ka bërë thirrje për një “reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm” nga aleatët e Kievit, duke paralajmëruar se Koreja e Veriut po ndihmon Rusinë me ushtarë dhe armë.
Kjo deklaratë vjen pas njoftimeve nga agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut, e cila tha se Koreja e Veriut ka vendosur të dislokojë trupa për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Sybiga shprehu shqetësimin në platformën X, duke theksuar se “Rusia seriozisht po e përshkallëzon agresionin e saj duke e përfshirë Korenë e Veriut si palë”.
Ai kërkoi një përgjigje të menjëhershme nga komuniteti euroatlantik dhe bota, duke theksuar se Koreja e Veriut po e ndihmon agresionin rus me armë dhe personel.
Kryediplomati ukrainas sqaroi se këta ushtarë të Koresë së Veriut nuk janë mercenarë, por “njësi të rregullta, që Moska planifikon t’i përdorë”.
Ai u bëri thirrje aleatëve që të forcojnë ndihmën për Ukrainën dhe të mbështesin planin e presidentit Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund luftës që Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.
Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut (NIS) njoftoi më 18 tetor se ka gjurmuar lëvizjet e ushtrisë së Veriut nga 8 deri më 13 tetor, duke zbuluar se forcat speciale të Koresë së Veriut po dërgoheshin në territorin rus përmes një anije ruse.
Kjo është hera e parë që një anije e Marinës Ruse është parë duke hyrë në ujërat e Koresë së Veriut që nga vitin 1990, duke konfirmuar fillimin e pjesëmarrjes së ushtrisë koreanoveriore në luftë.
Thashethemet mbi rolin e Koresë së Veriut në konfliktin ukrainas janë intensifikuar pas forcimit të marrëdhënieve midis Moskës dhe vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani, gati 32 muaj pasi Moska filloi pushtimin e plotë të Ukrainës.