Inkursioni i befasishëm i Ukrainës në Rusi nuk tregoi se po zmbrapset më 9 gusht, pasi mediat shtetërore dhe zyrtarët lokalë raportuan për shpërthimin e një zjarri në një bazë ushtarake dhe një sulmi “masiv” me dronë brenda Rusisë.

Ky sulm ka detyruar banorët e disa pjesëve të rajonit perëndimor rus, Lipetsk të evakuohen. Operacioni në rajonin e Kurskut të Rusisë është përshkruar si sulmi më i madh në tokën ruse që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Për këtë operacion ka shumë gjëra të paqarta, përfshirë edhe numrin e ushtarëve rusë që po marrin pjesë, megjithëse ushtria ruse ka pretenduar se janë përfshirë rreth 1.000 trupa dhe dhjetëra automjete të blinduara dhe tanke. Zyrtarët ukrainas ende e kanë konfirmuar zyrtarisht kryerjen e këtij operacioni, por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një adresimi mbrëmjen e 8 gushtit se Rusia duhet të “ndiejë” pasojat e pushtimit të nisur ndaj shtetit fqinj.

“Rusia e solli luftën në tokën tonë dhe duhet ta ndiejë atë se çfarë ka bërë”, tha Zelensky, po iu referuar drejtpërdrejt ofensivës. Më herët gjatë 9 gushtit, mediat zyrtare ruse, përfshirë TASS-in, raportuan për një zjarr në një bazë ajrore në rajonin Lipetsk, që gjendet në perëndim të rajonit Kursk, vendin ku po vazhdon inkursioni. Në raportimet e mediave ruse nuk është përmendur shkaku i shpërthimit të zjarrit.

Këto raportime u bënë disa orë pasi guvernatori rajonal, Igor Artamonov, shkroi në rrjetet sociale se Lipetsku “është bërë subjekt i një sulmi masiv me dronë”. Ai më vonë shtoi se është dëmtuar infrastruktura e energjisë dhe gjashtë persona janë plagosur.

Artamonov fillimisht u bëri thirrje banorëve të injorojnë thirrjet për evakuim të publikuara në rrjetet sociale, duke thënë se këto thirrje “po shpërndahen nga armiku në mënyrë që të krijohet panik”. Por, disa orë më vonë ai tha se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qarkun e Lipetskut dhe se banorët në katër vendbanime në periferi të qytetit të Lipetskut janë urdhëruar që të evakuohen.

Ndaras, guvernatori i Stevastopolit, qytetit në Gadishullin ukrainas të Krimesë të pushtuar nga Rusia, Mikhail Razvozhayev shkroi në Telegram se forcat ruse kishin shkatërruar dronë në afërsi të qytetit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se në total 75 dronë të Ukrainës janë shkatërruar mbi Rusi gjatë natës, shumica e të cilëve mbi rajonin e Belgorodit dhe të Lipetskut. Autoritetet ukrainase nuk kanë raportuar për ndonjë sulm ajror në rajonin e Lipetskut./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: