Kievo bën hapin e parë konkret, do me çdo kusht Jurgen Bardhin nga Partizani. Pak ditë më parë ishin mediat italiane ato që raportuan se drejtori sportiv i klubit veronez ka pikasur dy titullarë nga kampionët e dimrit në Kategorinë Superiore.

Përveç Bardhit, në listën e Kievos ishte edhe portieri Alban Hoxha, për të cilin në fakt ka pasur interesim konkret nga italianët edhe tri vite më parë, paçka se nuk u arrit një marrëveshje. “Panorama Sport” mëson se ditët e fundit përfaqësuesit zyrtarë të Kievos kanë biseduar direkt me drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama.

Burime në klubin e kuq i treguan dje gazetës se italianët kërkojnë që të arrijnë një marrëveshje që tani me “demat” për Bardhin dhe Hoxhën, në mënyrë që në verë lojtarët të bëhen pjesë e tyre. Portieri dhe sulmuesi janë nën kontratë me klubin e kuq edhe për dy vite të tjera dhe sigurisht Partizani ka pretendimet e veta për kartonin. Negociatat kanë nisur tashmë dhe nga ajo që mëson gazeta, drejtuesit e Partizanit do të kërkojnë minimalisht për shitjen e Bardhit një shumë prej 600 mijë eurosh.

Por, duke qenë se në këtë tratativë futet edhe Hoxha, në klubin e kuq kërkojnë që të përfitojnë në total 1 milion euro nga transferimet. Kievo duket po bën plane për sezonin e ardhshëm me dy titullarët e Partizanit, pasi shanset për të qëndruar në Serinë A i ka thuajse zero këtë kampionat, teksa do të kërkojë të nisë një projekt të ri nga Seria B, ku në epiqendër janë pikërisht Bardhi dhe Hoxha.

Nuk është hera e parë që emrat e këtyre të fundit dalin në skenë për një shitje të mundshme, por pavarësisht se disa herë klube turke, por jo vetëm, kanë shfaqur interes, ofertat nuk kanë bindur drejtuesit e kuq. Për shifrat që kërkon Partizani gjasat janë që Kievo të plotësojë këtë kërkesë, për më tepër që bëhet fjalë për një klub që jep vetëm për rrogat e lojtarëve brenda një sezoni rreth 22 milionë euro./Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: