Analisti Mentor Kikia në emisionin Open në News24 u shpreh se luatjet e opozitës, përtej atij mosbesimi, është në vendin që duhet të mbajë dhe pozicionin që duhet të ketë.
“Nëse rruga e pranon deri diku dhunën, apo gomën e djegur, institucioni pranon debatin që duhet të bëhet. Buxheti është e drejtë ekskluzive e atij që qeveris, nëse qytetarët janë të bindur që buxheti nuk shkon te prioritetet e tyre, qytetarët mund të protestojnë vetë, pa i ftuar opozita, dhe ta ndëshkojnë me votë qeverinë”, tha Kikia.
Ai u shpreh se transparenca që i bëhet buxhetit është e lidhur jo vetëm për ti thënë Qeverisë rrit buxhetin në këtë sektor apo një tjetër, por që opozita të paraqesë qasjen e saj, prioritetet e saj.
“Opozita mund të ketë prioritet bujqësinë, qeveria ka rrugët, tunelet e urat. Opozita duhet të paraqesë vizionin e saj. Opozita duhet të shndërrojë në kapital politik atë që thuhet se lekët shkojnë për tunele, ndërkohë që nuk ka ilaçe në spitale”, tha Kikia.