Analisti Mentor Kikia, i ftuar në emisionin Open në News 24, ka komentuar nisjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste, duke vënë në pah se thelbi i saj është ndërtuar rreth temës së integrimit europian dhe rreth figurës së kryeministrit Edi Rama.
“PS po dërgon gjithë ‘dritat’ tek integrimi europian. Rama ka veshur kostumin e shpëtimtarit,” u shpreh Kikia, duke theksuar se kreu i qeverisë ka vendosur që flamurin e PS-së ta lërë në hije për t’i dhënë fushatës një dimension kombëtar.
Sipas analistit, përdorimi i simbolit të yllit në vend të simboleve tradicionale të partisë është një përpjekje për të dhënë mesazhin se integrimi në BE nuk është një projekt partiak, por gjithëkombëtar. Megjithatë, Kikia vuri në dukje një tendencë personale të Ramës për të marrë të gjithë meritën: “Kryeministri ka maninë që betejën për integrim ta lidhë me emrin e tij, për të bërë të besojmë se integrimin po e sjell Edi Rama.”
Ai shtoi se Rama po mundohet të ndërtojë një narrativë sipas së cilës të gjithë politikanët e tjerë janë përlyer në afera, ndërsa vetëm ai ka mbetur i pastër dhe i aftë për ta çuar vendin drejt Bashkimit Europian. “Prandaj e ka identifikuar fushatën me emrin e tij,” përfundoi Kikia.
Mentor Kikia: PS po dërgon gjithë ‘dritat’ tek integrimi europian. Rama ka veshur kostumin e shpëtimtarit. Të gjithë fushatën e ka lidhur me yllin, që është simboli i integrimit. E ka përjashtuar flamurin e PS-së, për të thënë që integrimi i takon gjithë shqiptarëve dhe jo socialistëve. Kryeministri ka maninë që betejën për integrim ta lidhë me emrin e tij, për të bërë të besojmë se integrimin po e sjell Edi Rama. Edi Rama do të tregojë se të gjithë u përlyen dhe u përfshinë në afera korrupsioni dhe vetëm Rama u tregua i ndershëm dhe mund të na dërgojë në BE, prandaj e ka identifikuar fushatën me emrin e tij.