Lideri koreano-verior Kim Jong-un ka urdhëruar ekzekutimin publik të dy zyrtarëve që akuzohen për mosbindje ndaj regjimit.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat koreano-jugore, sipas të cilave, dy zyrtarët Hwang Min dhe Ri Yong-jin janë vrarë me armë kundër-ajrore. Ekzekutimi është kryer në një akademi ushtarake në Pyongyang.

Personi i parë që u ekzekutua ishte Ri Yong-jin, zyrtar i Ministrisë së Arsimit. Vendimi për dënimin e tij me vdekje është marrë pasi pak kohë më parë, u kap duke fjetur gjatë një takimi që po drejtohej nga Kim Jong-un.

Ndërkohë, personi tjetër që u ekzekutua ishte Hwang Min, ish-ministër Agrikulturës. Media koreano-jugore raportoi se Hwang Min është ekzekutuar për shkak se politikat e propozuara prej tij ishin parë si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj lidershipit koreano-verior.

Praktika e ekzekutimit të zyrtarëve të lartë me armë kundër-ajrore nuk është diçka e re në Korenë e Veriut. Shteti diktatorial ka ekzekutuar edhe në të shkuarën anëtarë të Byrosë politike në këtë mënyrë. Ndërkohë, ekspertët ndërkombëtarë janë shprehur se këto lëvizje vijnë në një kohë kur shumë persona janë arratisur drejt Koresë së Jugut, ndaj kjo mund jetë një mënyrë për të dërguar një mesazh tek qytetarët.

Peniani përgjatë muajve të fundit ka vijuar me politikat e tij agresore, duke testuar edhe raketa të rrezes së mesme në brigjet e saj lindore. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se për këto arsye, Koreja e Veriut rrezikon që ndaj saj të shtohen sanksione.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb