Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un vlerësoi sot lidhjet “të pathyeshme” të Phenianit me Moskën, përpara një vizite të pritshme të homologut të tij rus Putin në Korenë e Veriut në sfondin e luftës në Ukrainë. Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut ‘Yonhap’, Vladimir Putin mund të udhëtojë në Korenë e Veriut “që në fillim të javës së ardhshme”, nëntë muaj pasi Kim bëri një vizitë të rrallë në vendin fqinj në shtator për të takuar presidentin rus.

Të dy vendet kanë zhvilluar “lidhje të pathyeshme të vëllezërve sa i takon çështjes së armëve”, nënvizoi kreu i shtetit të Koresë së Veriut në një mesazh që i drejtoi Putinit sot me rastin e festës kombëtare të Rusisë.
“Populli ynë shpreh mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë për kauzën e shenjtë të ushtrisë dhe popullit rus, i cili me vendosmëri po përparon drejt drejtësisë dhe së vërtetës”, -shtoi ai në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA. Perëndimorët akuzojnë Phenianin se i ka dorëzuar armë Rusisë për luftën e saj në Ukrainë në këmbim kryesisht të ndihmës për zhvillimin e programit të saj satelitor.

Megjithatë, asnjë marrëveshje nuk ishte nënshkruar zyrtarisht gjatë vizitës së Kim në Lindjen e Largët Ruse në shtator, dhe Pheniani i quajti pretendimet “absurde”. Por Pentagoni tha në fund të majit se analizat e mbetjeve nga raketat balistike të përdorura nga Rusia në Ukrainë konfirmuan origjinën e tyre koreano-veriore. Në mes të majit, Kremlini konfirmoi se një vizitë e Putinit në Korenë e Jugut ishte duke u përgatitur dhe do të njoftohej “në kohën e duhur”. Sipas Yonhap, imazhet satelitore tregojnë instalimin në qendër të Phenianit të një “strukture të madhe” që mund të përdoret për të pritur liderin rus. Putini pritet të shkojë më pas në Vietnam.

Sipas ekspertëve, të dy vendet mund të bien dakord gjatë kësaj vizite për të forcuar shkëmbimet e tyre. Putin “ka nevojë për ndihmë në përpjekjet e tij të luftës dhe Kim dëshiron të zhvillojë programin e tij bërthamor”, tha Su Kim, një ish-analist i CIA-s, për AFP.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: