“Gjatë fushatës partitë na shesin shqiptari, ndërsa pas zgjedhjeve na shesin hajdutëri. Gjatë fushatës drejtuesit e partive bëhen shumë patriotike ndërsa pas fushate, shndërrohen në kozmopolitë. Kur bëhesh hajdut nuk mund të jesh patriot. BDI që deri dje ishte shërbëtore e VMRO-DPMNE sot është bërë me LSDM dhe menjëherë është bërë reformatore”, shprehet analisti dhe shkrimtari i njohur shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti për emisionin “Diplomaticus” që drejtohet nga gazetari Erion Kaçorri.

“Keqpërdoret mjerimi i popullit. Gjatë fushatës zgjedhore qytetarit i asfaltohen rrugët, i jepen para. Kjo është përbuzja më e madhe që i bëhet popullit. Ju e keqpërdorni atë sepse e dini që ai popull vuan nga papunësia, nga varfëria dhe kur vjen fushata zgjedhore i jepni një thes miell, i premtoni punësim. partitë shqiptare jo vetëm në Maqedoni, por edhe këtu në Shqipëri janë bërë entet e vetme që të punësojnë. Libreza partiake është bërë diploma më e vlefshme që t’i hap dyert çdo kund. Në botë njeriu punësohet përmes konkurrimit, jo përmes partisë. Te ne edhe shkrimtar bëhesh përmes partisë. Nëse ajo vendos t’i boton tre katër romane”, shprehet analisti i njohur shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti për televizionin News24.

Duke u ndalur te çështja e gjuhës shqipe në Maqedoni, Mehmeti shprehet se nuk bëhet fjalë për zyrtarizim, por vetëm avancim.

“Nëse deri dje kemi mundur ta flasim gjuhën shqipe nëpër autobusë tani mund ta flasim edhe në spital.  Shumë gjëra që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve nuk u bëhet mirë as partive shqiptare që të zgjidhen sepse pastaj nuk do kishin se me çfarë të bënin tregti. Nuk do të kishin çfarë të shisnin. Nëse do zgjidheshin problemet e shqiptarëve në Maqedoni, me çfarë do të merrej BDI? Me çfarë do na gënjenin? Prej vitit 2002 është BDI në qeveri. Nga ai vit dëgjoni fjalimet e kryetarit të BDI-se dhe më gjeni se çfarë ka thënë më shumë. Ka thënë që ne do të anëtarësohemi në NATO, në BE dhe do të zyrtarizojmë gjuhën shqipe. Gjithçka përfundon këtu. Po t’ia marrësh këto, ai nuk di çfarë të flasë më. Ai do të dalë në foltore dhe do e zërë gjumi se nuk ka çfarë të flasë. Dëgjoni incizimet sa herë BDI ka thënë se gjuha shqipe është zyrtarizuar”, deklaron ndër të tjera Kim Mehmeti për News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb