TIRANE

Qytetarët janë në hall të madh mbi atë se çfarë duhet të konsumojnë. Kjo për shkak të përdorimit të tepërt të kimikateve në produktet ushqimore.

Hasan Stafa, kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit pohon se janë 18 denoncime të bëra nga qytetarët  vetëm në tre muajorin e parë të vitit 2019, bëhet fjalë kryesisht për perimet.

Zonat më problematike ku produktet bujqësore trajtohen mbi normë me hormone konsiderohen Berati, Lushnja dhe një pjesë e Elbasanit. Për ekspertin përdorimi mbi normë i kimikateve në produktet bujqësore është provuar se shkakton kancer.

Stafa thotë se problemi qëndron në mosfunksionimin e asnjë prej strukturave shtetërore që ka detyrimin për të monitoruar sigurinë ushqimore duke nisur nga pushteti vendor. Po si mund t’i dallojmë perimet e keqtrajtuara me hormone nga ato bio?

Vetë qytetarët nuk e fshehin panikun që i kap sa herë që ndalojnë para tezgave ku tregtohen produkte bujqësore. Disa prej tyre thonë se kanë hequr dorë nga shumë prej produkteve për të cilat ka patur denoncime të forta në media. Por sa besojnë qytetarët tek deklarata e kryeministrit Rama për ashpërsimin e kodit penal ndaj të gjithë shkaktarëve që cënojnë sigurinë ushqimore?!

“Merre, prokuroria ta fusë në burg. Për mendimin tim ta pushkatojnë se helmon njerëzimin”, thotë një qytetar.

“Në qoftë se mbahet llafi po, shumë mirë e ka”, tha një tjetër.

“Kryeministri ka thënë shumë gjëra por nuk bëhen të gjitha që thotë kryeministri. Boll të bëhet kontroll në institucionet përkatës”, u shpreh një tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb