Kina ka akuzuar NATO-n të enjten se po kërkon siguri në kurriz të të tjerëve derisa i kërkoi aleancës që të mos sjellë të njëjtin “kaos” në Azi.
Deklarata e një zëdhënësi të ministrisë së Jashtme kineze erdhi një ditë pasi NATO-ja e cilësoi Kinën si një “mundësuese” të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, raporton AP.
Zëdhënësi Lin Jian, në një konferencë ditore ka deklaruar se Kina ka një qëndrim të drejtë dhe objektiv për çështjen e Ukrainës.
Kina është e ndarë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë për luftën në Ukrainë, duke refuzuar ta dënojë pushtimin e Rusisë. Tregtia e saj me Rusinë është rritur që nga pushtimi, të paktën pjesërisht duke kompensuar ndikimin e sanksioneve perëndimore.
NATO, në një komunikatë të lëshuar nga samiti në Washington të mërkurën ka thënë se Kina është bërë një nxitës i luftës përmes “partneritetit pa kufi” me Rusinë dhe mbështetjes së saj në shkallë të gjerë për bazën industriale të mbrojtjes ruse.
Mirëpo zëdhënësi Lin ka deklaruar se tregtia e Kinës me Rusinë është legjitime dhe e arsyeshme dhe e bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Ai ka thënë se “e ashtuquajtura siguri” e NATO-s vjen me koston e sigurisë së vendeve të tjera. Kina ka mbështetur pretendimin e Rusisë se zgjerimi i NATO-s përbënte një kërcënim për Rusinë.
Kina ka shprehur shqetësimin për marrëdhëniet e reja të NATO-s me vendet në rajon. Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut dërguan liderët ose zëvendësit e tyre në samitin e NATO-s këtë javë.