(e perditesuar) TIRANE -Hidh e prit në Facebook. Për disa orë me radhë, Kryeministri Edi Rama si dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, replikuan sot në rrjetet sociale lidhur me projektin e Rrugës së Arbrit.


Lajmin se Kina do të ndërtojë Rrugën e Arbrit në Shqipëri, e publikoi sot Kryeministri Rama nga Beogradi, i cili po merr pjesë në Samitin e Kinës. Ai shkroi në Fb gjatë paradites se “u nënshkrua mbrëmë Memorandumi i Bashkëpunimit me “Chinese Exim Bank” për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kinës do të jetë Rruga e Arbrit, e cila do të nisë vitin e ardhshëm.”


Por kreu i opozitës, Lulzim Basha, menjëherë pas tij ka deklaruar se mazhoranca po firmos projektet e gjetura gati. “Projekti strategjik i Rrugës së Arbrit që nisi para tre vitesh, – shkruan Basha, – u ndal me ardhjen e kësaj qeverie si shumë projekte të tjera të rëndësishme për njerëzit dhe ekonominë e vendit. Edhe pse marrëveshja me palën kineze për financimin e tunelit të Qafë Murrizit ishte gati që në shtator 2013 ajo u shty me papërgjegjshmerine me te madhe nga qeveritaret për plot nje vit e gjysem. Në vend që të kërkojnë ndjesë për këtë vonim të pajustifikueshem tani rreken ta shesin sapunin për djathë,”- nënvizon ai.


Kryeministri s’e ka lenë me aq, por e ka vazhduar replikën me Bashën duke shkruar në rrjetet sociale: “Rruga e Arbrit ishte gati? Po, si gjithë gropat e tjera të borxheve zinxhir në qafën e shqiptarëve! Një vit negociata për të mos rënë brenda. Tani po, është gati me një formulë të re partneriteti, që do të promovohet nga Kryeministri kinez në Samitin e Beogradit si një financim inovativ!”

E megjithatë as Basha nuk është ndalur. Ai përgjigjet në Facebook se “Rruga e Arbrit ka nisur prej vitesh, por njësoj si Bulevardi dhe Lumi i Tiranës, njësoj si autostrada Elbasan -Tiranë dhe si dhjetra vepra te tjera publike është bllokuar, vonuar dhe zvarritur nga njeriu që nuk i duron dot veprat e mëdha. Sa për borxhin, e gjeti 62 dhe e çoi 74 përqind brenda një viti. Keto jane faktet; mashtrimeve të Rames ju ka dale boja,”- thekson ai.

Por, nga Beogradi ku ndodhet për Samitin Ndërkombëtar, Rama ka qendruar “vigjilent” për të thënë fjalën e fundit dhe i është përgjigjur kryeopozitarit me një mesazh tjetër:”Kur i degjon të tregojnë ende përrallat për të cilat humbën pushtetin e kupton tamam se nga ç’katran me bojë shpëtoi ky vend në 23 qershor!”.

(ar.sh/d.b/BalkanWeb)