Kina ka reaguar ndaj “shqetësimit të madh” të SHBA-së lidhur me stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit, duke i bërë thirrje Washingtonit të braktisë mbështetjen për “forcat e pavarësisë” në vendin ishull, transmeton Anadolu.

“Tajvani është pjesë e Kinës dhe çështja e Tajvanit është çështje e brendshme e Kinës që nuk toleron ndërhyrje të huaja”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.

“Nëse SHBA-ja me të vërtetë kujdeset për paqen dhe stabilitetin në ngushticat e Tajvanit, duhet t’i përmbahet parimit të një Kine”, tha Mao, duke iu përgjigjur “shqetësimit” të shprehur nga Washingtoni pasi ushtria kineze nisi stërvitjet e përbashkëta rreth Tajvanit.

Ushtria kineze njoftoi nisjen e stërvitjeve në shkallë të gjerë rreth Tajvanit, të cilin Pekini e pretendon si provincën e tij separatiste, stërvitjet e dyta të tilla që nga maji kur u inaugurua presidenti William Lai Ching-te.

Sipas ushtrisë kineze, stërvitjet rreth zonave në veri, jug dhe lindje të kombit ishull u përqendruan në përmirësimin e gatishmërisë luftarake detare-ajrore, bllokimin e porteve kryesore, shënjestrimin e objektivave tokësore dhe detare dhe marrjen e kontrollit të plotë të fushëbetejës.

Stërvitjet, të kryera nga trupat e ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe forcës raketore, shërbyen si “një pengesë e fortë ndaj aktiviteteve që lidhen me pavarësinë e Tajvanit” dhe ishin të nevojshme për të mbrojtur “sovranitetin kombëtar dhe unitetin kombëtar” të Pekinit, tha Komanda Lindore e ushtrisë kineze.

Megjithatë, SHBA-ja shprehu shqetësim të madh për stërvitjet e mbajtura disa ditë pasi presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te tha se Pekini nuk kishte “të drejtë” të përfaqësonte Tajvanin.

“SHBA-ja është seriozisht e shqetësuar nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore në ngushticën e Tajvanit dhe rreth Tajvanit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke iu referuar ushtrisë kineze.

Ndaj kësaj, zëdhënësja kineze Mao u përgjigj: “Shtetet e Bashkuara nuk duhet të mbështesin ‘pavarësinë e Tajvanit’, duhet të ndalojnë armatosjen e Tajvanit dhe të pushojnë së dërguari çdo sinjal të gabuar për forcat separatiste të pavarësisë së Tajvanit”.

Pekini mbajti stërvitje të ngjashme në gusht 2022 pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, bëri një udhëtim të paparalajmëruar në Tajvan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: