Një katërshe e re e rrezikshme kërcënon Amerikën. Sunduesit e Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë, po afrohen në mënyrë shqetësuese, shkruan The Economist

Antony Blinken, sekretari amerikan i Shtetit, foli shumë haptazi në një vizitë të fundit në Europë: “Një nga arsyet pse Vladimir Putin është në gjendje të vazhdojë këtë luftë, është për shkak të mbështetjes nga Republika Popullore e Kinës”, tha ai.

“Kina është furnizuesi më i madh i makinerive dhe mjeteve të mikroelektronikës, që po e ndihmojnë Rusinë të ruajë bazën industriale të mbrojtjes”.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë hollësi mbi ato që Rusia mund të jetë duke u dhënë në këmbim miqve të saj, por zëvendëssekretari i Shtetit, Kurt Campbell, së fundmi tha se Rusia i ka dhënë Kinës nëndetëse, raketa dhe teknologji të tjera ushtarake. Amerika ka deklaruar gjithashtu se Irani i ka dërguar Rusisë qindra raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Këto zbulime janë disa shembuj të lidhjeve ushtarako-industriale midis Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë, që po rriten gjithnjë e më tepër. “Duket se jemi rikthyer në epokën e ‘boshtit të së keqes’”, tha admirali John Aquilino, kreu i Komandës Amerikane në Indo-Paqësor.

Ky ishte termi që kishte përdorur më parë ish-presidenti George W. Bush, për të përshkruar aleancën midis Iranit, Irakut dhe Koresë së Veriut. Të tjerë bëjnë paralele me forcat e Boshtit Qendror gjatë Luftës së Dytë Botërore: Gjermanisë naziste, Japonisë Perandorake dhe Italisë Fashiste.

Krahasime të tilla reflektojnë shqetësime të rënda. “Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut… kanë bashkëpunuar tashmë për një kohë më të gjatë dhe në më shumë mënyra se vendet e aleancës së Boshtit të viteve 1930”, paralajmëron analisti Philip Zelikow.

Anëtarët e këtij “kuarteti të ri të kaosit”, ideologjitë e të cilëve ndryshojnë, nga islamizmi në komunizmin e rreptë, janë të përçarë nga mosbesimi dhe kanë vizione shumë të ndryshme për botën. Megjithatë, ata i bashkon urrejtja ndaj rendit botëror të udhëhequr nga Amerika dhe për këtë shkak, pritet t’i thellojnë lidhjet e tyre ekonomike dhe ushtarako-industriale.

Marrëdhëniet e tyre përbëjnë një lloj “transaksionalizmi strategjik”, thotë një zyrtar amerikan. Kjo do të thotë se katër regjimet kryejnë vazhdimisht marrëveshje dypalëshe që janë në interesin e ngushtë vetjak të secilit pjesëmarrës dhe ndonjëherë edhe në interesin e përbashkët.

Për të kuptuar se sa i thellë është bashkëpunimi midis tyre, bëjmë një ndarje në tri grupe: plumbat (d.m.th., transferimet e armëve), forca (mbështetja industriale) dhe truri (përhapja e teknologjisë).

Megjithëse dy të parat paraqesin rrezikun më të menjëhershëm, është pikërisht shkëmbimi i njohurive ushtarake ai që përbën kërcënimin më të madh afatgjatë për sigurinë e Perëndimit dhe aftësinë e tij për të penguar kundërshtarët.

Fillojmë me plumbat. Koreja e Veriut dhe Irani po i dërgojnë Rusisë me qindra raketa, duke përfshirë më shumë se 200 predha balistike me rreze të shkurtër veprimi Fath-360. Tashmë i kanë dërguar me miliona predha artilerie dhe mijëra dronë sulmues.

Analistët presin që Rusia t’i përdorë ato për të mposhtur mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke i përdorur pastaj raketat e veta më të afta për të kryer sulme me rreze të gjatë në zona të tjera. Që nga fillimi i luftës, Rusia ka gjuajtur rreth 65 raketa KN-23, që janë raketa me rreze të shkurtër veprimi, të prodhuara nga Koreja e Veriut.

Aleanca, raketa dhe muskuj

Truri industrial ka qenë po aq i rëndësishëm. Edhe pse Kina nuk ka dërguar drejtpërdrejt armë, furnizimet e saj të mëdha të komponentëve me përdorim të dyfishtë, po “vihen në zbatim drejtpërdrejt në makinerinë ruse të luftës”, tha së fundmi zoti Campbell.

Kina përbën rreth 90% të importeve të mikroelektronikës ruse dhe 70% të makinerive të saj, llogarit qeveria amerikane. Këto i kanë mundësuar Rusisë të prodhojë raketa lundrimi dhe drone.

Gjithashtu, rritja e importeve të ekskavatorëve nga Kina në vitin 2022, e ndihmoi Rusinë të ndërtonte një mbrojtje të frikshme, gjë që çoi në dështimin e kundërsulmimit të Ukrainës vitin e kaluar.

Kompanitë ruse po kryejnë më shumë tregti dhe financim në monedhën kineze juan, për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

Grupi i tretë i bashkëpunimit, truri, që nënkupton shkëmbimin e teknologjisë, është më pak i njohur. Luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme kanë krijuar mundësi të shumta për të shkëmbyer njohuritë teknike.

Ukraina është një “laborator dijeje dhe mësimi” për iranianët, thotë Dima Adamsky nga Universiteti Reichman në Izrael.

Ajo fiton njohuri në kohë reale në lidhje me efikasitetin e armëve iraniane kundër mbrojtjes perëndimore, ndërsa Rusia mëson nga këshilltarët iranianë se si të kryejë sulme ajrore, duke përdorur njëkohësisht dronë dhe raketa.

Rusia po ndan me Iranin të dhëna në lidhje me bllokimin e kontrollit të dronëve dhe sinjaleve GPS. Po ashtu po i dërgon Iranit teknologji perëndimore të konfiskuar, për t’u shqyrtuar nga ana teknike si është ndërtuar.

Një lloj tjetër lulëzimi teknologjik

Edhe Koreja e Veriut po merr “të dhëna të vlefshme teknike dhe ushtarake” në lidhje me funksionimin e raketave të saj kundër mbrojtjeve ajrore perëndimore, vëren Mira Rapp-Hooper, zyrtare amerikane e sigurisë.

Strategët kinezë kanë studiuar funksionimin e dronëve HIMARS në luftën në Ukrainë. Këto armë me siguri ajo ka ndër mend t’i përdorë më vonë në një luftë kundër Tajvanit, thotë Lyle Goldstein, një ekspert për forcat e armatosura të Kinës në Universitetin Brown.

Shkëmbimet e teknologjisë po shtrihen gjithnjë e më shumë përtej këtyre marrëveshjeve të formës ad hoc, në marrëveshje afatgjata.

Bashkëpunimi kino-rus, dikur i penguar nga dyshimi i ndërsjellë, tani po rritet në fusha të ndryshme, duke përfshirë nëndetëset, aeronautikën dhe raketat. Rusia është e gatshme të ndihmojë Kinën në ndërtimin e sistemeve të paralajmërimit dhe mbrojtjes nga raketat.

Tani ka një shkallë serioze të bashkëpunimit, edhe në hapësirë. Kjo nuk lidhet vetëm me Kinën. Rusia po ndihmon programin hapësinor të Iranit, i cili shihet si një front për zhvillimin e raketave balistike ndërkontinentale (ICBM).

Nga ana tjetër, Putini i ka premtuar Koresë së Veriut ndihmë të madhe teknologjike. Kjo mund të përfshijë ndihmën për të zhvilluar raketa balistike interkontinentale, thotë Victor Cha, ekspert i Koresë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), një institut me seli në Uashington.

Megjithëse ka pak prova që tregojnë një rritje të bashkëpunimit në fushën e armëve bërthamore, po përshpejtohet përhapja e teknologjive më të përparuara ushtarake.

“Është e vështirë të thuhet nëse Rusia do të mundësojë armët e veta për të mbrojtur të tjerët, por Putini ka nevojë për sa më shumë armë”, thotë zoti Cha.

Avril Haines, drejtori i inteligjencës kombëtare të Amerikës, ka vënë në dukje se “koncesionet” ruse ndaj Koresë së Veriut kanë hedhur poshtë rregullat e vjetra të mospërhapjes së armëve bërthamore. Dhe ka disa shenja të veprimeve apo detyrimeve të përbashkëta ushtarake.

Për shembull, ka pasur stërvitje detare në Gjirin e Omanit nga Rusia, Kina dhe Irani. Rusia dhe Kina kanë kryer patrulla të përbashkëta bombardimi pranë Alaskës.

Në një marrëveshje të nënshkruar në Phenian në qershor, Rusia dhe Koreja e Veriut u zotuan që të “sigurojnë menjëherë ndihmë ushtarake dhe ndihmë të tjetër lloji” për njëra-tjetrën në rast lufte, gjë që do të nënkuptonte përfshirjen e Rusisë në çdo përballje në gadishullin korean.

Aleanca mes katër autokracive, ende kufizohet nga një sërë pengesash që mund të dëmtojnë bashkëpunimin midis tyre. Pengesa e parë është se dëshira e tyre për rrezik ndryshon.

Industria e mbrojtjes e Kinës është mjaftueshëm e madhe për të siguruar fitoren në Ukrainë, por vendi ka ngurruar të japë një ndihmë vendimtare, sepse një vendim i tillë nuk do t’i jepte më mundësinë Kinës që ta paraqesë veten si një ndërmjetës i paanshëm në çështjet botërore dhe do të rrezikonte lidhjet e saj ekonomike me vendet e pasura perëndimore.

Për këtë çështje nuk janë të shqetësuara vende si Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, që tashmë janë lënë mënjanë nga Perëndimi si aktorë armiq dhe joseriozë.

Gjithashtu, tani për tani, Rusia nuk ka pranuar të furnizojë me raketa milicinë Houthi në Jemen, e cila merr mbështetje nga Irani. Me siguri për këtë e kanë nxitur monarkitë e Gjirit Persik dhe ndoshta edhe Kina, sepse këto të fundit kanë nevojë për qëndrueshmëri në Detin e Kuq, për të kryer tregti.

Mosbesimi

Një pengesë tjetër është mosbesimi. Kina, e cila ka ende mosmarrëveshje territoriale të pazgjidhura me fqinjin e saj Rusinë, po përplaset me të për shtrirje ndikimi në Azinë Qendrore dhe ka dyshime në lidhje me rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis Rusisë dhe Koresë së Veriut, sepse këtë të fundit e sheh si shtetin e saj klient.

Ndërkohë, shumë iranianë janë të vetëdijshëm për pushtimin sovjetik që përjetuan në vitin 1941.

“Të gjitha këto shtete kanë vetëm lidhje dypalëshe, por nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi katërpalësh”, vëren Nicole Grajewski nga firma Carnegie Endowment for International Peace. “Kjo nuk është një aleancë”, thotë Jon Alterman nga agjencia CSIS.

“Kjo është një lojë pickup”. Mangësitë e këtij grupi prej katër anëtarësh janë edhe më të dukshme po ta krahasojmë atë me NATO-n, paktin kryesor të sigurisë së Perëndimit, shumica e anëtarëve të të cilit bashkohen nga vlera të ngjashme politike dhe ekonomike dhe një shkallë e lartë besimi.

Sidoqoftë, pavarësisht kufizimeve, katërshja tashmë ka filluar t’i shkaktojë “dhembje koke” Perëndimit dhe dhimbja duket se do të rritet. Forcat e Armatosura të Amerikës, që janë organizuar për të kryer një luftë të vetme të madhe dhe jo disa luftëra në të njëjtën kohë, po detyrohen të bëjnë zgjedhje të vështira dhe të pranojnë shkëmbime të rrezikshme të burimeve të pakta.

Për shembull, vitin e kaluar, Amerika pati një mungesë të predhave të artilerisë 155 mm, kur tërhoqi rezervat në rast urgjence të ruajtura në Izrael, për t’i dërguar ato në Ukrainë.

Më pas në tetor, u detyrua të ndryshonte drejtim, dhe i mori këto predha nga Ukraina për t’ia çuar sërish Izraelit.

Në mënyrë të ngjashme, raketat kundërajrore që po lëshohen nga anijet perëndimore kundër dronëve të milicisë Houthi në Detin e Kuq, po pakësojnë burimet për të mbrojtur Tajvanin në të ardhmen.

Sigurisht, gjendja mund të kishte qenë shumë më e keqe se kaq. Lajmi i mirë është se katër autokracitë ende nuk i kanë koordinuar përpjekjet e tyre për t’u armatosur me armë bërthamore apo për të kryer fushata të përbashkëta ushtarake.

Sidoqoftë, pavarësisht gjithë mangësive dhe dallimeve mes tyre, autokracitë veprojnë sipas një përllogaritjeje të thjeshtë të përbashkët: sa më i fuqishëm dhe problematik të bëhet secili anëtar, aq më e madhe është mundësia që të tjerët të përfitojnë nga rrëmuja.

Ky “dividend shpërqendrues”, argumenton Hal Brands nga Universiteti Johns Hopkins, mund “të rrisë sfidat që paraqesin këto shtete, si individualisht, ashtu edhe në grup”.

Rreziqet që kanosen nga afrimi gjithnjë e më i madh i katërshes autokrate nuk është nevoja të fryhen për t’u dukur shqetësuese. Ato janë tashmë një problem shqetësues për Perëndimin./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb