Kina njoftoi të martën një rritje të tarifave ndaj importeve amerikane me 60 miliardë dollarë. Vendimi erdhi si kundërpërgjigje pas njoftimit të Presidentit Trump për vendosjen e tarifave shtesë ndaj importeve kineze me vlerë 200 miliardë dollarë duke filluar nga 24 shtatori. Zoti Trump paralajmëroi gjithashtu se “nëse Kina do të ndërmarrë veprime hakmarrëse ndaj fermerëve amerikanë apo industrive të tjera, Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë menjëherë fazën tre të këtij vendimi, me tarifa në vlerën e 267 miliardë dollarëve”.

Pekini njoftoi se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të hakmerret ndaj tarifave të reja prej 10 për qind ose 200 miliardë dollarësh ndaj mallra kineze të njoftuara nga Presidentit amerikan Donald Trump. Kjo rrezikon një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Në një deklaratë të shkurtër të ministrisë kineze të Tregtisë thuhej se “për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të vendit në tregtinë e lirë ndërkombëtare, Kina nuk ka zgjidhje tjetër veçse të hakmerret”.

Të hënën, autoritetet kineze patën paralajmëruar se nëse zoti Trump do të bënte përpara me vendosjen e tarifave, Kina nuk do të rrinte thjesht në pozita mbrojtëse.

Të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuang tha gjatë një konference për shtyp se bisedimet janë mënyra e vetme e duhur për të zgjidhur problemet si dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara për të mungesë sinqeriteti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb