Kina tha se kundërshton shkeljet e sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Libanit si dhe hapat që nxisin “antagonizmin” dhe përshkallëzojnë tensionet, transmeton Anadolu.

Pekini është “thellësisht i shqetësuar” për trazirat në Lindjen e Mesme, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, duke komentuar operacionet tokësore të ushtrisë izraelite në Libanin jugor, të cilat u pasuan nga sulmet raketore të Iranit kundër Izraelit.

“Kina i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve të mëdha me ndikim, të luajnë rol konstruktiv dhe të shmangin trazirat e mëtejshme”, tha zëdhënësi në një deklaratë.

Kina, thuhet më tej, beson se luftimet e zgjatura në Gaza janë shkaku kryesor i raundit të ri të trazirave në Lindjen e Mesme dhe të gjitha palët duhet të punojnë urgjentisht për një armëpushim “gjithëpërfshirës” dhe “të qëndrueshëm”.

Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.000 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.950 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: