Nga: PETRIT HALITI*

Në Beograd u zhvillua në 16-17 dhjetor Forumi i tretë ekonomik i kryetarëve të qeverive të Kinës dhe të 16 shteteve
të Europës Qendrore dhe Lindore. Përtej megaprojekteve infrastrukturore, që u shpallën në forum dhe që do të materializojnë investime masive kineze në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ajo që ra në sy është euforia e madhe që mbizotëroi pjesëmarrësit e forumit. Një eufori, që është karakteristikë e mentalitetit lindor, dhe e cila si rregull hiperbolizon ose hiperglorifikon çdo lëvizje apo ngjarje, përtej dimensioneve apo përmbajtjeve reale, që mund të ketë. Bashkë me interesimin për zhvillimin e këtij forumi të ri të kryetarëve të qeverive të Kinës dhe të 16 shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore, nuk mund të mos lindë natyrshëm si pyetja, ashtu dhe kërkimi i interesave, që motivojnë këtë vërshim të Kinës drejt pjesës më të varfër të kontinentit europian. Siç edhe shtyjnë te pyetjet dhe kërkimi, nëse ka baza logjike entuziazmi populist apo folklori politik, që po shoqëron projektet e mëdha kineze për të investuar 12 miliardë dollarë në 16 shtete të Europës Qendrore dhe Lindore. Sa është reale ëndrra e “xhaxhait kinez”, që po vjen për të zbrazur valixhet me dollarë te kushërinjtë e varfër?
Sepse nuk mund të mos bëjë përshtypje që vendet e Europës Qendrore dhe Lindore nuk kanë shprehur me tone kaq të larta eufori dhe brohoritje shtetërore për investimet e tjera të mëdha nga shtete europiane apo organizata ndërkombëtare. Sepse nuk mund të mos bëjë përshtypje që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk demonstruan “ekstazën kineze” për procesin e Berlinit, të nisur në gusht të këtij viti, ku do të investohen 10 miliardë dollarë në projekte konkrete në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Dhe sipas një aritmetike të thjeshtë se sa i bie mesatarisht për shtet të ndash 12 miliardë dollarë në 16 shtete dhe 10 miliardë dollarë në gjashtë shtete, del qartë se përqindja e përfitimit nuk e justifikon shifrën disa herë më të madhe të entuziazmit ish-komunist për dollarët që pritet të vijnë nga Kina.
Pyetja themelore, që shtrohet dhe duhet të shtrohet nga qeveritë e shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore, është nëse ky vërshim i investimeve kineze drejt tyre është vetëm nga miqësia e madhe dhe nga dashuria e madhe e Pekinit për këto shtete dhe për popujt e tyre. Për të mënjanuar çdo keqkuptim, mirëkuptojmë parimin se investimet e huaja janë të mirëpritura, pavarësisht se nga vijnë ato, sepse teorikisht hapin vende pune, ndihmojnë në industrializimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese etj., etj. Por kur investimet priren të krijojnë apo të institucionalizojnë grupime shtetesh mbi baza ideologjike, sikur lënë një shije jo shumë të ëmbël. Kur entuziazmi propagandistik tejkalon vlerësimin e ftohtë racional, ekonomik dhe financiar për një vërshim investimesh nga një shtet i madh i horizontit lindor, lind vetiu nevoja e një analize më të gjerë shpjeguese.
Vërshimi i investimeve kineze dhe propozimet për projekte të mëdha infrastrukturore e industriale kineze në vendet ish- komuniste, natyrisht bëhen, para së gjithash, për përfitimin e atij që i investon kapitalet. Por në rastin e Kinës janë disa tregues, të cilët duhen lexuar me vëmendje.
Tregues i parë është fakti interesant që objektivi i Pekinit janë vendet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore. Jo rastësisht Kina ka grupuar vendet, të cilat që të 16-ta janë vende ish-komuniste. Nëse i sheh gjeografikisht dhe kulturalisht, si edhe në shkallët e zhvillimit ekonomik apo potencialit të tregut, këto janë vende tepër të ndryshme me njëri-tjetrin dhe është e vështirë t’i gruposh së bashku në një kriter teknik apo gjeografik. Kina i ka bashkuar në një kriter ideologjik dhe politik, i cili lidhet me të kaluarën e sistemit ekonomik dhe politik të këtyre vendeve dhe lidhet me faktin që Kina vazhdon të jetë një shtet komunist, ku drejton dhe sundon me dorë të hekurt Partia Komuniste e Kinës, njëlloj si dikur partitë komuniste në shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Ky element apo emërues i përbashkët nuk duket i rastësishëm, ndonëse qeveria kineze dhe udhëheqësit kinezë janë treguar tepër të vëmendshëm që të mos lënë asnjë hapësirë interpretimi politik apo ideologjik. Është e pakuptueshme përse planifikuesit kinezë e ndjejnë se me këto shtete ish-komuniste, dhe jo me ato shtete, që kanë qenë pjesë e sistemit kapitalist botëror, mund të kenë më tepër sukses me investimet. Fakti që shtetet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore janë më të varfra se shtetet e tjera të Europës Perëndimore mund të jetë një stimul, por jo arsye. Me vendet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore Pekini duket se ushqen shpresa se do të krijohet një klimë më e favorshme për investimet kineze dhe për lidhjet me Kinën.
Kina është një fuqi globale me aspirata të mëdha globale, të cilat tani për tani janë kufizuar në sferën ekonomike, me një përpjekje për të mos shkaktuar dyshime për strategji më të largëta në rajone të ndryshme të globit. Por Pekini po synon qartë të eksportojë modelin social-ekonomik kinez. Kur themi “modelin kinez”, nuk e kemi fjalën vetëm për aftësinë e ekonomisë kineze për të siguruar ritmet më të larta të rritjes ekonomike në botë dhe një suficit kapitalesh. E kemi fjalën te modeli ekonomik, social dhe politik kinez. Sepse Pekini kërkon të demonstrojë se një shtet komunist dhe partia e tij komuniste mund të implementojnë me sukses ideologjinë komuniste me ekonominë kapitaliste të centralizuar dhe të drejtuar e të kontrolluar nga shteti. Modeli kinez tenton t’u tregojë vendeve ish-komuniste se ata kanë bërë një gabim të madh, që rrëzuan regjimet komuniste dhe partitë komuniste, sepse mund të kishin zgjedhur modelin kinez të hibridit komunisto-kapitalist.
Treguesi i dytë është se Kina ka zgjedhur të investojë në vendet e një grupi shtetesh, nga të cilat 11 janë anëtare të Bashkimit Europian, katër janë shtete kandidate për në BE dhe i pesti aspiron të hyjë në BE. Kjo do të thotë se Kina po tenton të futet në ekonominë dhe në tregun europian dhe në një mënyrë apo tjetër të rivalizojë vetë Bashkimin Europian, si në fushën e infrastrukturës, ashtu dhe në projektet e zhvillimit industrial. Kryeministri Li Keqiang u tregua i kujdesshëm dhe shumë kortez, kur në fjalimin e mbajtur në samitin e Beogradit në 16 dhjetor deklaroi se Kina mbështet integrimin europian të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Pekinit i intereson të marrë dhe të formalizojë shtetet europiano-qendrore dhe europiano-lindore në një grupim, për të pasur më lehtë investimet, por dhe për të fituar një hapësirë më të madhe manovrimi për mekanizmin e depërtimit ekonomik kinez në Europë.
Është e qartë se organizimi i një Forumi të rregullt të kryetarëve të qeverive të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore shpreh përpjekje për krijimin e një qendre të influencës në kontinentin europian. Kryeministri kinez, në fjalën e mbajtur në Beograd, u deklaroi homologëve të ftuar se Kina me vendosmëri mbështet një botë multipolare, në një kohë që kishte një auditor, që i takon polit europian të fuqisë. Duket si një ftesë drejt poleve të tjera. Kina përfiton nga disa momente. Momenti i parë është kriza ekonomike dhe financiare në vendet europiane dhe sidomos në vendet ish-komuniste, që vijnë nga regjime dhe ekonomi të prapambetura. Momenti i dytë është kriza ukrainase dhe rivaliteti i acaruar europiano-rus për Ukrainën. Kina ndjek me kujdes zhvillimet në Europë dhe kërkon të përfitojë me investimet e saj, në një kohë që BE dhe Rusia janë përfshirë në një luftë sanksionesh dhe kundërsanksionesh financiare dhe po pengojnë njëra-tjetrën për shkak të përplasjes gjeopolitike për Ukrainën.
Moment tjetër që Kina po kërkon të shfrytëzojë është fenomeni i një pakënaqësie apo deziluzioni në vendet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore ndaj BE-së, për sa i përket gjendjes ekonomike dhe sociale brenda vendeve. Vendet ish-komuniste, që kanë hyrë në BE, dhe janë etiketuar “Europa e Re”, kanë pësuar disa zhgënjime në planin ekonomik nga anëtarësimi në BE, sepse nuk arritën atë bum konsumistik që kishin ëndërruar. Vendet që nuk kanë hyrë akoma, janë futur në rrugën e padurimit për shkak të lodhjes, që BE ka krijuar nga zgjerimi i deritanishëm. Në një formë apo tjetër ndihet që në vendet ish-komuniste po rriten presionet e brendshme dhe të jashtme, që kërkojnë të shihet edhe në drejtime të tjera për t’iu shmangur krizave. A po shohin vendet ish-komuniste drejt Lindjes? Kjo nuk është ndonjë sekret, sepse disa prej tyre e kanë bërë hapin prej kohësh dhe po flirtojnë për lidhje më të ngushta, më shumë me Rusinë apo Kinën, sesa me vendet e BE. Në këtë sens, kërkimi i ethshëm për investime masive ruse apo kineze krijon fraktura të karakterit ekonomik dhe strategjik. Është e qartë se penetrimi i Rusisë dhe i Kinës në ekonomitë e vendeve ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore rrit mundësitë e lëvizjes së boshteve të orientimeve strategjike. Shembull klasik është në këtë drejtim Serbia, e cila brenda dy muajve u bëri pritje dhe glorifikime faraonike perandorit të Rusisë, Vladimir Putin dhe perandorit të Kinës, LI Keqiang, gjë që nuk ia ka bërë asnjë udhëheqësi të rëndësishëm perëndimor.
Kina si fuqi globale po hyn qetësisht në lojën e madhe për influencë në Europë. Deri tani kemi parë përplasje gjeopolitike mes Bashkimit Europian dhe Rusisë. Tani përplasja pritet të bëhet në formë trekëndëshe, ku të përfshihet edhe Kina. Dhe ajo që nuk duhet harruar kurrë është se, qoftë Kina, qoftë Rusia, përfaqësojnë Lindjen, dhe do të ishte fatkeqësi që vendet europiane ish-komuniste të thurin ëndrra për integrime ruse apo integrime kineze. “Era e Lindjes do të triumfojë mbi erën e Perëndimit”, ishte deviza e një himni të vjetër të Kinës komuniste. Shqipëria e ka provuar mbi kurriz se çfarë do të thotë kjo.
Dalja e Kinës në Europë nuk është dashuri, por është një lëvizje gjeopolitike për interesat e sigurimit të influencës së saj në kontinentin europian dhe në punët botërore.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: