PEKIN – Kina ka paralajmëruar se nuk do të ketë “mëshirë” ndaj Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, nëse ai do të kundërshtojë politikën “Një Kinë e vetme” në lidhje me Tajvanin.

Në një shkrim në gazetën “China Daily”, thuhet se “nëse Donald Trump pasi të ulet në kolltukun e Shtëpisë së Bardhë do të vazhdojë me mendimin e kundërshtimit të politikës ‘Një Kinë e vetme’, Pekini zyrtar do të detyrohet të ndjekë një politikë ku nuk do të tregojë ‘mëshirë’ për të”. E kjo për shkak se sipas artikullit “Trump po luan seriozisht me zjarrin”.

Në shkrim thuhet se një gjë e tillë do të ketë kosto për të dyja palët dhe më pas shkruhet: “Por kjo kosto është e nevojshme të paguhet nga ana e Kinës për t’i treguar Trump-it se sa e ndjeshme dhe sa probleme serioze nxjerr ‘loja e Tajvanit’ për të. Pekini nuk do të tregojë mëshirë ndaj askujt për këtë gjë.”

Untitled

PARALAJMËRIMI

Kina ka paralajmëruar edhe më herët se nëse qeveria e re amerikane do t’ua pengojë qasjen në Detin e Kinës Jugore, atëherë “duhet të jenë në gatishmëri për përplasje ushtarake”, raportoi pak ditë më parë Anadolu Agency.

Në kryeartikullin e gazetës zyrtare vendase “Global Times” u publikuan reagime ndaj deklaratës së ashpër të kandidatit për Sekretar Shteti në administratën e Donald Trump, Rrex Tillerson, i cili kishte theksuar se “Duhet ta pengojmë qasjen e Kinës në Detin e Kinës Jugore”.

Sipas kryeartikullit, Tillerson ka marrë qëndrim të ashpër kundër Kinës në mënyrë që ta fitojë mbështetjen e senatorëve. “Duke pasur parasysh fuqinë aktuale ushtarake të Kinës, Washingtoni zyrtar në ardhje nuk do të ketë sukses ta pengojë qasjen e Kinës në ishujt që gjenden në Detin e Kinës Jugore, vetëm nëse planifikon luftë të shkallës së lartë”, thuhet në kryeartikull.

Sipas kryeartikullit “Nëse Trump dhe ekipi i tij kanë plane të këtilla pas ardhjes në detyrë, atëherë ata duhet të jenë në gatishmëri ushtarake. Në të kundërtën, kjo lëvizje e tyre do të ishte qesharake”.

Autoritetet kineze paraprakisht kishin reaguar edhe ndaj bisedës direkte telefonike të Donald Trump muajin e kaluar me liderët e Tajvanit, gjë e cila sipas tyre ishte cilësuar në kundërshtim me praktikat diplomatike.

Ndryshe, Pekini zyrtar, i cili përpiqet ta forcojë pozicionin në ujërat e kontestuar duke ndërtuar baza ajrore në ishujt artificialë në Detin e Kinës Jugore, është pjesë e kontestit për sovranitet me shtetet e rajonit, përfshirë Filipinet, Vietnamin, Brunein dhe Malajzinë, për Detin e Kinës Jugore i cili është i pasur me resurse të pasura nëntokësore. Transporti detar që realizohet përmes këtij rajoni, mundëson një tregti globale vjetore e cila kap vlerën prej afërsisht pesë trilionë dollarësh.

Kina pretendon se ka të drejtë mbi 80 përqind të rajonit prej rreth tre milionë kilometrash katrorë në Detin e Kinës Jugore, ndërsa pretendimin në fjalë e mbështet në një hartë të ngelur nga viti 1940.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb