KINE – Rënia e re e kursit të parasë në Kinë po i zhyt thellë tregjet aziatike të aksioneve dhe përdorimi për herë të dytë i mekanizmit mbrojtës, i cili parashikon ndërprerje të tregtimit të aksioneve në rast rëniesh të çmimit të aksioneve prej më shumë se 5 për qind riktheu shqetësimet për ekonominë e vendit. Prej frikës për humbje të rënda dhe për ekonominë e vendit në bursat kineze që prej fillimit të vitit ka hyrë në fuqi një mekanizëm mbrojtës, i cili parashikon që në rast të një rënie jetë çmimit të aksioneve prej më shumë se 5 për qind të bëhet një ndërprerje e tregtimit të aksioneve prej 15 minutash, dhe në rast se ka rënie prej më shumë se 7 për qind një ndërprerje e plotë e tregtisë së tyre.

Ky mekanizën u përdor fillimisht të hënën (04.01) dhe u përdor përsëri edhe të enjten kur bursat u mbyllën para kohe dhe duke qëndruar vetëm 30 minuta hapur, shënuan ditën më të shkurtër tregtare në historinë e tyre 25-vjeçare. CSI300, që reflekton zhvillimin e 300 vlerave më të larta të aksioneve në Shangai dhe Shenzhen, dhe që shërben si masë për mekanizmin mbrojtës, shënoi një humbje prej 6.93 për qind dhe ra në 3294.38 pikë. Që nga fillimi i vitit indeksi ka humbur kështu 11.70 për qind. Prej frikës nga rënia e qartë e koniunkturës ekonomike në Kinë humbje shënuan edhe bursa të tjera. Indeksi japonez u mbyll për herë të parë që nga mesi i tetorit nën nivelin psikologjikisht të rëndësishëm prej 18.000 pikësh.

Mungesë besimi e investitorëve
Pas rënies në fillim të javës qeveria kineze derdhi vërtetë miliarda në treg, por bursianët u shprehën për mungesë besimi të investitorëve dhe irritim për dobësimin e vazhdueshëm të monedhës kineze, gjë që është duke ushqyer frikën për arratisjen e kapitalit nga Kina. Juan (Renminbija) është për momentin në nivelin më të ulët gjatë pesë vjetëve. Sipas njoftimeve të agjencisë së lajmeve financiare Bloomberg, bordi mbikëqyrës i bursave kineze planifikon një zgjatje të ndalimit të shitjeve për disa investitorë të mëdhej.

Meqë Kina është një ndër konsumatorët më të mëdhej të lëndëve të para në botë, si pasojë e rënies së vlerës së juanit kanë rënë edhe çmimet e lëndëve të para. Çmimet e naftës së papërpunuar ranë në nivelin më të ulët për gati dymbëdhjetë vjet. Gjithashtu, çmimet e metaleve për industrinë dhe atë të prodhimeve bujqësore janë nën presion. Barometri i tregut të aksioneve të sektorit të lëndëve të para shënoi një rënie prej më shumë se pesë për qind e gjysmë.

Bien rezervat valutore
Edhe pse rezervat e Kinës janë ende të fuqishme, edhe ato po shkrihen me furi. Sipas njoftimeve të Bankës Qendrore Kineze rezervat valutore të ekonomisë së dytë më të madhe në botë, ishin në dhjetor 3.33 trilionë dollarë amerikanë. Ky është niveli më i ulët gjatë tre vjetëve. Krahasuar me një muaj më parë rezervat kanë rënë me 108 miliardë dhe në këtë mënyë me ritme më të shpejta se kurrë më parë.
Dinamika është edhe më e dukshme nëse marrim në konsideratë zhvillimin për gjithë vitin 2015. Në vitin që sapo lamë pas rezervat valutore, të cilat vijnë kryesisht nga tepricat e larta të vendit prej eksporteve, kanë shënuar një rënie prej më shumë se gjysmë trilion dollarë. Ekspertët e shpjegojnë këtë rënie të fortë në njërën anë me daljet e kapitalit për shkak të dobësisë aktuale ekonomike në Kinë dhe në anën tjetër me ndërhyrjet në treg nga Banka Qendrore që synojnë të zbusin zhvlerësimin e monedhës vendase.(DW)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: