Nga: ELMAS HAXHIRAJ*
Fleksibiliteti i rendit të ri botëror në themel të tij ka dhe faktorin kinez, si faktor parësor i ekuilibrave ndërkombëtarë. Kina, si një vend progresiv në aspektin human dhe ekonomik, aplikon maksimën e vjetër trashëguar nga e kaluara e lavdishme perandorake: “Vend i begatë dhe ushtri e fuqishme”. Këtu fjala, para së gjithash, është për qëndrueshmërinë e brendshme ekonomike dhe fuqizimin në aspektin ushtarak, për të dalë me kapacitete të plota në marrëdhëniet ndërkombëtare. Udhëheqja kineze, qysh nga revolucioni kulturor ka qenë në sinkron të plotë me rolin dhe madhështinë e saj historike. Ten Hsiao Pini pati një version që udhëhiqej nga realizmi pragmatist, realizëm i cili lidhej me fuqizimin e faktorit kinez në planin ndërkombëtar. Pasuesit e tij e shtynë më tej këtë vizion, duke ripërcaktuar dhe ridimensionuar potencialet e Kinës në planin rajonal dhe global.

Modeli autarkik ekonomik i stilit “maoist” sot ia ka lënë vendin një modeli të ndryshëm liberal. Me fleksibilitetin ekonomik global, Kina ka fituar një gamë të gjerë interesash ekonomike. Sot kompani të ndryshme transatlantike kapitalin e tyre investues e kanë të stacionuar në Kinë, për shkak të kostove më të lira në forcë punëtore dhe mjedisit përshtatës që krijon tregu kinez. Por rritja e investimeve direkte nga ana e kompanive perëndimore, ka krijuar një farë varësie të Kinës nga Perëndimi, dhe, shprehur kjo me fjalët e autorëve të “Librit të Bardhë të Mbrojtjes së Kinës”, 2005, “Asnjëherë Kina nuk ka qenë ngushtësisht e lidhur me Perëndimin sa është sot”. Dhe për ta kjo shihej si një rrezik me të cilin po përballej Kina. Por veç kostove përfituese, “varësia nga ekonomia perëndimore” vetëm sa kufizon rolin e saj si faktor determinant në marrëdhëniet ndërkombëtare. Alternativa më efektive për këtë mbetej shfrytëzimi i progresit demografik, rritja e të ardhurave bujqësore dhe investimi në kapacitetet ushtarake.

Përballë investimeve gjigande të amerikanëve dhe europianëve, qëndrimi në pozita të tilla për kinezët do të thoshte “mbyllje në oborrin e shtëpisë së saj”, gjë që binte ndesh me lavdinë e dikurshme. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, Kina i ka shfrytëzuar resurset e saj demografike për qëllime të qarta ekonomike. Sot popullsia kineze përbën një pjesë të konsiderueshme të trupit ekonomik perëndimor. Fuqia punëtore kineze me kapacitete të plota vepruese, ka arritur të krijojë një model të qartë të zhvillimit ekonomik kinez në planin ndërkombëtar, përballë një regresi demografik dhe mplakjeje të fuqisë punëtore në të dyja anët e Atlantikut. Ndërthurur kjo edhe më tej me një prezencë të qartë institutesh kulturore (Konfuci, trashëgimia budiste e Kinës, pranuar publikisht së fundmi) janë tipare që rrisin kredon angazhuese të saj në aspektin ndërkombëtar.

Strategjitë e reja ushtarake
Doktrina strategjike e Kinës gjithnjë dhe më shumë po paraqet një tablo të qartë në kapacitetet ushtarake të saj, dhe cituar kjo me fjalët e Robert Kagan (R.Kagan 2008), “doktrina ushtarake e Kinës ka kaluar nga mbrojtja e atdheut nga pushtuesit e huaj, drejt një strategjie të proklamimit të forcës jashtë vendit”. Krenaria e Kinës në rritjen e rolit të saj në çështjet e sigurisë, së pari: është qëllim i Partisë “Komuniste Kineze” me element liberalist-ekonomik, dhe së dyti: vlerësim për imazhin e saj historik si një fuqi perandorake e së shkuarës. Konflikti me Tajvanin, tensionet me Japoninë dhe një sërë faktorësh të tjerë rajonalë, i kanë vendosur çështjet e sigurisë kineze në plan të parë në vendimmarrjen e liderëve politikë.

Në një botë konfliktuale, ekuilibrat ekonomikë dhe politikë gjithnjë dhe më tepër janë të ndërvarur nga karakteri bashkëpunues. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit (OKB), Kina “votën e artë” të miratimit e përdor në shërbim të interesave të saj gjeopolitike. Dhe rezultatet për këtë janë krijimi i aleancave të reja ekonomike, thellimi i partneritetit gjeostrategjik dhe rritja e investimeve. Studiues të ndryshëm, si perëndimorë si Brzezinski, por dhe kinezë si Jing Men, e shohin këtë tendencë të re të Kinës si “pragmatizëm dhe kufizim të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, Indi, Rusi, Japoni, në rajon. Rezultatet për këtë janë më se të dukshme; përmirësimi i marrëdhënieve me Pakistanin si kundërpeshë ndaj Indisë, Japonisë, Koresë së Jugut etj. Në një botë multipolare dhe me tendenca të reja konfliktuale, pragmatizmi kinez shkon deri në kufijtë e marrëdhënieve konsensuale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ekonomia thotë fjalën e saj, politika dhe ideologjia janë në një pamjaftueshmëri gjykimi(sistemi politik autoritar dhe kritikat e Perëndimit për ndryshim). Ekspansionizmin ekonomik dhe demografik kinez sot e ka shndërruar atë në faktor përcaktues në ruajtjen e ekuilibrave ndërkombëtarë.

Në kushtet kur sistemi perëndimor po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike, politike, por edhe të sigurisë (prishja e qetësisë perëndimore, nga radikalizmi dhe terrorizmi), në interesin amerikan më të rëndësishme janë bashkëpunimi dhe partneriteti me Kinën sesa tensionet dhe atakimet. Aty ku ka luftë për tregje dhe konkurrencë globale, ekziston dhe gjuha e konsensualitetit dhe vendimmarrjes së përbashkët. Kina është ende larg lidershipit global, kjo për shkak të problemeve të brendshme, industrializimi, demokratizimi, megjithatë ëndrra kineze në planin ndërkombëtar po jep efektet e saj. Dhe këto probleme, si një nga pikat më të dobëta të saj në syrin perëndimor, gjithnjë dhe më shumë po i mbulon me “dorën e shpejtë “të lulëzimit ekonomik. Ky revansh ekonomik kinez, sipas studiuesve ndërkombëtarë rreth viteve 2025 mund ta transformojë atë në aktorin parësor dhe udhëheqësin kryesor global në aspektin ekonomik. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë në interes të Perëndimit gjithnjë dhe më tepër është ruajtja e ekuilibrave, raporteve dhe standardeve ekonomike me “gjigandin ekonomik” kinez sesa qëllimet gjeopolitike në Pacifik. Në lojën globale, lëvizjet e zgjuara sjellin rezultatet e dëshiruara, dhe për rrjedhojë pozicione të fituara. Pozicioni i Kinës varet nga historia e së shkuarës, gjendja e së tashmes dhe strategjia e së ardhmes në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai i Perëndimit, nga vullneti për të reflektuar, dëshira për të bashkëpunuar dhe strategjia për të implementuar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: