Vetëm pak kohë pasi Shangai Sipg ra dakord t’i paguante Çelsit 58 milionë paund për Oskarin, ishte Karlos Tevez ai që u përshëndet me Boka Zhuniorsin të dielën për t’iu drejtuar Lindjes së Largët për të luajtur për Shengai Shenhuanë sezonin e ardhshëm. Oskar, transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit kinez, do ta paguhet 400 mijë paund në javë.

Por Tevez ka rënë dakord për një kontratë edhe më të shtrenjtë, nga e cila do të përfitojë 615 mijë paund në javë, duke kapërcyer rrogën e Messit dhe Ronaldos si lojtarët më të paguar në botë. Një javë më parë, Ibra refuzoi një ofertë nga Kina, e cila ishte më shumë se 1 milion paund në vit. Kapitenit të tij, Runi, iu ofrua 75 milionë paund për 3 vite te Shangai Sipg, ndërsa Jaja Ture refuzoi 577 mijë paund në javë të Jiangsu Suningut për të qëndruar pak më gjatë në Premier Ligë.

Edhe në botën më të pasur të futbollit, të tilla shifra janë jashtë çdo imagjinate. Yjet veteranë, që kërkojnë paranë e lehtë në fund të karrierave të tyre, nuk janë një risi. SHBA-ja ishte një ndalesë joshëse për Pelenë, Bekenbauerin, Bestin dhe Krojfin në NASL-në e dikurshme që sot quhet MLS. Të fundit që iu bashkuan ëndrrës amerikane ishin edhe Xherrard dhe Lampard.

Diferenca sot është se lojtarët, të cilët po i drejtohen Kinës, joshen më shumë nga shifrat astronomike sesa nga aspiratat e tyre për të ndërtuar një karrierë futbollistike në një nivel më të lartë siç është Europa apo Amerika e Jugut. Oskar është 25 vjeç. Patrioti i tij Aleks Teikseira ishte 26 vjeç kur refuzoi të transferohej te Liverpuli në fillim të këtij viti, duke firmosur për Jiangsu Suning.

Kështu bëri edhe Paulinjo kur u largua nga Totenhemi për Guanzhunë vitin e shkuar. Aleksis Sançez është ylli i fundit i Premier Ligës, emri i të cilit lidhet me Superligën kineze dhe është vetëm 28 vjeç. Analisti Xhemi Karrager e përshkroi transferimin e Oskarit si të turpshëm. Të tjerë thanë se ai bëri një zgjedhje që vjen një herë në jetë, kur ai nuk është një zgjedhje e parë te Çelsi.

Por cilëndo këndvështrim të marrim, nuk ka dyshim që Kina po bëhet shpejt një destinacion i lakmuar për futbollistët, të cilët dikur as që e imagjinonin se një ditë do të luanin në Lindjen e Largët. Por, si dhe përse është bërë kaq shpejt joshës vendi më i populluar i globit?

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka një vizion të artë për futbollin në vendin e tij, i cili është duke bërë një revolucion në Superligë. Presidenti Xi ka përpiluar një plan 10-vjeçar, i cili nis prej 2015 deri në 2025, për të dyfishuar hapësirën e ekonomisë sportive kineze në më shumë se 600 miliardë paund, bazuar në investimet shtetërore dhe private në futboll.

Ai dëshiron të prodhojë 100 mijë futbollistë, duke investuar në ndërtimin e fushave bazike dhe krijimin e 20 mijë shkollave të reja futbolli dhe 70 mijë fushave deri në vitin 2020. Plani i tij është që ta kthejë Kinën në një superfuqi futbolli, e aftë për t’u kualifikuar, organizuar dhe fituar Kupën e Botës. Kina aktualisht renditet në vend të 83-të në FIFA, mes kombëtareve të Antigua dhe Barbudas dhe Ishujve Faroe. Ata kanë marrë pjesë vetëm një herë më parë në finalet e një Botërori, përpara se të eliminoheshin në grup pa shënuar asnjë gol.

Biznes i madh
Ofertat astronomike që vijnë në drejtim të klubeve europiane dhe amerikanojugore për yjet e tyre nga klubet e Superligës kineze janë të mundura, sepse ato janë financuar nga investimet masive të korporatave. Shanghai Sipg, Shangai Shenhua, Jiangsu Suning dhe Guanzhu Evergrande Taobao, kampionët e 6 viteve të fundit, janë shpenzuesit më të mëdhenj.

Kina është përpjekur gjithashtu që ta rrisë profilin e futbollit të saj edhe jashtë vendit. Presidentit Xi iu bë një tur në akademinë e re të Sitit vitin e shkuar, përpara se kompania “China Media Capital”, e mbështetur nga kapitali shtetëror, të zyrtarizonte blerjen e një pjese të aksioneve të sheikut Mansur për 265 milionë paund. Uest Bromuiç dhe Aston Vila kanë marrë gjithashtu mbështetje kineze.

Superliga?
Super nuk është fjala më e saktë për të përshkruar kampionatin prej 16 skuadrash, por ai është rritur shumë në nivel që kur Anelka dhe Drogba kaluan një sezon te Shangai Shenhua (2012-’13) dhe u larguan mes lajmeve të rrogave të papaguara dhe korrupsionit në sport.

Por, bota u ngrit në këmbë në fillim të këtij viti, pasi rekordi i transferimeve në Kinë u thye tri herë në harkun e 3 ditëve kur Jiangsu Suningu i pagoi 38.4 mln paund Shahtjorit për Teikseiran, transferoi Ramezin nga Çelsi për 25 mln paund dhe panë Guanzhunë të shpenzonte 31 mln paund për transferimin e Xhekson Martinezit nga Atletiko.
Tani transferimi i Oskarit te Shangai Sipg e ka rritur sërish stekën. Shikueshmëria e Superligës po rritet vrullshëm dhe, në 5 vitet e ardhshme, ata do të kenë një profil më të njohur falë marrëveshjes së të drejtave televizive me “China Media Capital” (935 milionë paund). E ardhmja e futbollit është Kina.(panoramasport)

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: