Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës ka mbajtur sot një seancë për rivlerësimin e masave të sigurisë, të dhanë për motrat Berisha, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6 gusht 2024, ku u dhunua modelja Klea Prenga.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se në dëshminë e saj para togave të zeza, Mariela Berisha u shpreh se ngjarja nuk ishte diçka e planifikuar, por ka ardhur si pasojë e një viti të vështirë që po kalon nga ana psikologjike për gjithçka ka ndodhur mes bashkëshortit të saj dhe Prengës.

Me pas ajo ka kërkuar mëshirë nga gjykata në mënyrë që të kishte një masë sigurie më të lehtësuar, referuar edhe faktit që ka një fëmijë të mitur vetëm 2 vjeç që kërkon kujdesin e saj.

“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmi 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, u shpreh ajo para gjykatës.

Ndërkohë avokatja e saj theksoi faktin që klientja nuk ka asnjë precedent të mëparshëm dhe se kërkon falje publikisht për çfarë ka ndodhur.

“Një masë sigurimi më të butë se ajo që ka kërkuar prokurori, pasi ajo është pa asnjë preçedent penal, nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shkak për të përsëritur veprime të njëjta apo të ngjashme, shprehet thellësisht e penduar, e pranon faktin penal, është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me viktimën, i kërkon publikisht falje asaj, si dhe gjykatës, njëkohësisht është e gatshme ta ndihmojë financiarisht për të përballuar shpenzimet e nevojshme për rehabilitimin e plotë dhe përfundimtar të dëmtimeve fizike që ka pësuar viktima. Së fundi, por tepër e rëndësishme, ajo është nën e një fëmije të mitur 2 vjeç. Aktualisht është i vetmi person që mundet të kujdeset për të, dhe prania e nënës për një fëmi në këtë moshë është e domosdoshme”, u shpreh avokatja.

Në fund të seancës, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për Mariela Berishën dhe “detyrim paraqitjeje” për motrën e saj Antonela Berisha.

Ngjarja:

Kujtojmë se Klea Prenga u dhunua në mënyrë barbare nga motrat Berisha, teksa darkonte në një restorant në Tiranë, më datë 6 gusht 2024. Teksa Prenga ka qenë duke ngrënë, motrat Berisha e kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë, duke i shkaktuar dëme të shumta shëndetësore.

Dy motrat Antonela dhe Mariela Berisha akuzohen nga forcat blu për “plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb