Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, i ftuar në studion e “News24”, ka komentuar kandidimin e tij në listën e hapur të PS për qarkun e Vlorës, si dhe pritshmëritë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Sinaj u shpreh se mbështet plotësisht vendimin e kryetarit Edi Rama dhe kryesisë së PS për vendosjen e deputetëve aktualë në lista të hapura, duke e cilësuar si një hap që i afron më shumë me qytetarët.

“Në fillim kisha dyshime nëse duhej të garoja sërish. Por gjatë kësaj fushate kam kuptuar se ishte një nga zgjedhjet më të mira. Na ka ballafaquar me qytetarët dhe na ka ulur me këmbë në tokë. Ajo karrigia në parlament nuk është e jona, por e qytetarëve,” – tha Sinaj.

Ai theksoi se ndjehet më i motivuar tani që mandatet merren direkt nga vota e qytetarëve, duke e konsideruar këtë si një formë të vërtetë përfaqësimi.

Sa i përket objektivave elektorale, deputeti socialist theksoi se Partia Socialiste synon të sigurojë 9 mandate në qarkun e Vlorës, duke u mbështetur jo vetëm në bazën lokale, por edhe tek vota e diasporës, e cila për herë të parë në këto zgjedhje pritet të ketë një peshë të drejtpërdrejtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb