Në një kohë krize mbi librin dhe kulturën, me hapësira të rrudhura e politika të munguara, Kisha Katolike te rruga e Kavajës, ka çelur një librari. Libraria “Valentini” e merr emrin nga një albanolog dhe bëhet një platformë për dijen, edhe kur ajo është kundër saj
Në një kohë krize mbi librin dhe kulturën, me hapësira të rrudhura e politika të munguara, Kisha Katolike te rruga e Kavajës, ka çelur një librari. Libraria “Valentini” e merr emrin nga Zef Valentini, një prift jezuit e albanolog që ka lënë një sërë veprash kushtuar Shqipërisë. Por pse një librari në një terren religjioz?
Dom Zef Bisha: Është tipike e jezuitëve të punojnë në fushën e kulturës, të merren me formimin intelektual, të japin mësim në universitete dhe kjo është një sfidë.
Kontributi i kishës në formimin e elitave është i njohur jo vetëm pse shkollat e para shqipe morën jetë në qela, por edhe për rolin që kisha ka pasur mbi formimin e vetëdijes kombëtare. Përkundër një perceptimi paraprak, libraria pranë kishës është laike.
“Kisha ka dashur të kontribuojë për të ofruar pak më shumë mobilitet kulturor sepse ne po përjetojmë një krizë kulturore. Libraria nuk është një zgjatim i ideologjisë së klerikëve, por është një librari për të tërë, laike”, tha Anna Shkreli, që është marrë me konceptimin e saj.
Mes emrave të autorëve që shquhen në rafte, shumë syresh kanë pasur pikëpamje krejt të kundërt me Kishën, në epoka të ndryshme, por në këtë rast, kisha ka hapur dyert për të gjitha mendimet, idetë duke u kthyer në një platformë intelektualësh. Vetë godina, ka qenë kishë, sallë sportesh në diktaturë dhe sot bashkon besimtarët me lexuesit e autorët.
“Salla e sporteve është e kaluara, një kujtim i hidhur i këtij tempulli të besimit. Siç i sheh titujt e afishuar është librari laike. Kisha katolike shqiptare është një nga shtyllat e ringjalljes, kulturore e letrare të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të”, tha shkrimtari Besnik Mustafaj.
Botimet më të fundit, përfshirë një kënd për ata që kanë qenë të mënjanuar, gjenden në librarinë “Valentini”, duke i sjellë lexuesit një pikëtakimi me dijen.
(Balkanweb)