Nga: Fatmira Nikolli

Rikthehet në vëmendje, debati për kishën-xhami në Kalanë e Shkodrës. Monumenti i kulturës, i njohur për katolikët si Kisha e Shën Shtjefnit dhe për myslimanët si Xhamia e Sulltan Mehmetit, prej vitesh ka nxitur debat mes të krishterëve dhe besimtarëve myslimanë në qytetin verior, për shkak se objekti ka shërbyer si kishë për disa shekuj, e më pas me rënien e Shkodrës 500 vite më parë, si xhami sipas autorëve Theodor Ippen te “Shqipëria e vjetër”, Kostandin Jireçek te “Historia e Serbëve” dhe Aleksandër Meksi te “Arkitektura e kishave të Shqipërisë” VII-XV. E njëjta gjë, ndodhi edhe në Stamboll me Shën Sofinë, e cila u kthye në vitin 1453 nga Mehmet Pushtuesi në Xhami. “Si pasojë e traktatit të paqes të datës 26 janar 1479, Shkodra iu dorëzua turqve, pasi këta të fundit e kishin mbajtur kështjellën 10 muaj të rrethuar pa mundur ta pushtonin”, shkruhet në librin e Meksit.

Çdo datë 26 dhjetor- ditën e Shën Shtjefnit, në rrënojat e këtij objekti, Famullia e Shën Shtjefnit në Shkodër prej 10 vitesh mban meshë. “Debati” herë në heshtje e herë me prononcime, mes komuniteteve fetare, nisi vite më parë, kur një ambasadë e huaj dha një fond të konsiderueshëm për restaurimin e objektit si kishë, çka u kundërshtua nga komuniteti mysliman.

Së fundmi, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, në një intervistë për “TRT Shqip” ka deklaruar se objekti është trashëgimi shpirtërore e myslimanëve dhe se mesha e mbajtur në të është provokim.

MONUMENTI
I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, prof. Aleksandër Meksi tha dje se “Kisha e Shën Shtjefnit në Shkodër, që njihet edhe me emrin Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut për një pjesë të qytetarëve të Shkodrës- është një kishë që kthye në xhami me anë të një dekreti të Sulltanit që kthente kishat në xhami. Minarja është ndërtuar në këndin jugperëndimor pranë ambjentit të altarit. Për nga teknika e ndërtimit dëshmon për vjetërsinë e saj. Dekreti i sulltanit- që kthen kishat në xhami, daton me rënien e Shkodrës. Kisha në fjalë është një monument shumë i rëndësishëm, i vlerësuar më tepër për arkitekturën kishtare, romanike-gotike, gjurmët e të cilave janë fare të pakta të mbetura në Shqipëri”. Ndonëse sipas Meksit, çështja e vlerave arkitekturore, është relative dhe nuk ndikon në qëndrimin ndaj problemit, ai tha dje për “Gazeta Shqiptare” se objekti “është një monument i ndërtuar, rreth 1300-ës, duke parë dhe duke u bazuar te teknika e ndërtimit dhe planimetria. I është nënshtruar rreth 1400-ës një rindërtimi që dokumentohet, në burimet historike, në gjendjen e sotshme ruhet rrënojë, ndërsa muret pothuaj i ka tërësisht; ato janë të ndërtuara te pjesa e altarit”.

Sipas Meksit, që në vitet 1980 u mendua që të restaurohej, në kuptimin që të plotësoheshin muret, ato gjurmë të qarta dhe të mbulohej me një çati që në formë mesjetare, pra të kohës, në mënyrë që të kthehej në një muze për kalanë e Shkodrës.

“E fillova unë studimin i pari, dhe për disa arsye nuk arrita dot ta vijoja unë, por u vazhdua nga Gjergj Frashëri dhe më vonë nga të tjerë, bashkë me specialistët e Shkodrës, duke u marrë fillimisht me muret, sepse kishte mure që rrezikonin”, – thotë Meksi.

Ai tregon se “kjo do të ishte mënyra me të cilën monumenti duhej të bëhej i vizitueshëm, të dëshmonte për Shkodrën, së paku për gjetjet e kalasë së Shkodrës, dhe duhej të kishte edhe sondazhe arkeologjike nga specialistët për të parë nëse nën të, ka gjurmë, ndërtime a struktura të një kishe më të vjetër, apo edhe ndërtime të tjera”. Sipas prof. Meksit, “kjo mund të bëhet ende, por ka një problem vetëm me altarin, që është pak i ruajtur, ndërsa në dysheme ka gjurmë të kohës kur u kthye në faltore islamike, të cilat duhen konservuar dhe ruajtur në gjendjen e tyre. Detyra e brezit tonë nuk është të bëjë monumente të reja, ato i bëjnë arkitektët e rinj, jo ne. Nuk duhen restauruar dhe të kthehen në të ashtuquajturin emër farsë – kthim në identitet”,- shprehet profesori.

Sa i takon debatit të sotëm, profesor Meksi tha se: “Mendoj se kjo çështje duhet të gjykohet me të qetë dhe duhet të vendoset kthimi i saj në një objekt të dobishëm për kalanë e Shkodrës, për qytetin e Shkodrës së paku për të ekspozuar në fillim ato gjetje”.

PROPOZIMI
I pyetur nëse propozimi i tij është që monument të restaurohet dhe të kthehet në muze, siç ka qenë projekti i tij i hershëm, Meksi thotë: “Po. Siç ka qenë projekti në atë kohë kur projektet i bënin specialistët dhe jo administrata e lartë shtetërore, dhe restauronin shqiptarët dhe jo të huajt. Po qe se sot mendohet se administrata e lartë shtetërore duhet të thotë se si duhet bërë restaurimi, dhe të vijnë të huajt të marrin fonde kur Shqipëria ka restauratorë që dikur vlerësoheshin nga struktura ndërkombëtare, më mirë e lëmë për një kohë tjetër”.

Në fund, Meksi e mbyll me këto fjalë: “Dua të them se, nëse feja, besimi në Perëndi përdoret për sherr, nuk mendoj se ata që e bëjnë besojnë në Zot”.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb