TIRANË

Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka zbardhur për mediat detaje nga takimi më shumë se 5 orësh me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ai tha se kishin shumë kohë pa u parë dhe se në takim ka shprehur dëshirën për një bashkëpunim dhe më të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe kryeministrin.

Kurti theksoi se ka nevojë për bashkërendim mes dy vendeve si për politikën e jashtme ashtu dhe në aspektin e ekonomisë dhe për sa më shumë ura që dy vendet t’i ndihmojnë qytetarët e tyre të mos jenë të fundit në rajon.

“Kishte shumë kohë pa u parë diku rreth 14 muaj. Kishte shumë tema e çështje që duhet t’i bisedonim, aq më tepër që Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme dhe unë si kryeministri i ri dua dhe duhet të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me kryeministrin e Shqipërisë. Biseduam për çështje të cilat i kemi të përbashkëta por gjithashtu edhe për çështjet në dy shtetet tona. Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme dhe në aspektin e ekonomisë të bashkërendohen sa më shumë Kosova me Shqipërinë sepse efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj që mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se sa realiteti që e gëzojnë prandaj duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria dhe Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, e më të papunët e më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, deklaroi Kurti.

I pyetur nëse do i bashkohet të ashtuquajturit “Shengeni Ballkanik”, Kurti tha se duhet të shohë projektin në letër pasi për momentin është në nivel idesh.
“Unë pres që të shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai. Sepse ai më ngjan më shumë me ide se sa projekte. Pra, dua ta shoh projektin në letër. Tani për tani është në nivel idesh.
Ne kemi diskutuar për çështje dhe tema që do të bashkëpunojmë. Organigramat e qeverive vijnë më pas. Pra, njëherë është substanca dhe më pastaj edhe forma që duhet të marrë”, tha ai.

Por a ka folur me Ramën për padinë e paralajmëruar nga kryeministri shqiptar për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj?
“Jo nuk jemi marrë me këtë gjë”, tha Kurti.

Ndërkohë ngacmimit se pas takimit të mbrëmshëm marrëdhëniet me Ramën janë të rregulluara, Kurti iu përgjigj: “Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara. Ne jemi njerëz të ndryshëm, jemi politikanë të ndryshëm dhe duam që të bashkëpunojmë në mënyrë që mospajtimet që kemi kurrsesi nuk bën që ta rrezikojnë bashkëpunimin tonë, meqenëse fundja ne nuk jemi dy persona të veçantë por jemi dy funksione për të cilën qytetarët tanë presin që do të bashkëpunojmë”.

Sa i përket të dërguarit të presidentit amerikan për Kosovën dhe Serbinë dhe premtimeve të tij, Kurti tha se ai ka vizituar dy vendet për të marrë mendimin e liderëve për marrëveshje mes dy vendeve. Kreu i Vetëvendosjes foli dhe për çështjen e bisedimeve, për të cilën tha se do të ketë një takim me pasardhësen e Mogherinit paraprakisht.

“Jo, ai ka ardhur që të marrë mendimin tonë se si mund të ketë marrëveshje të paqes dhe bashkëpunim në rajon. Nuk ka gjëra të tilla si këto.
Periudha konkrete për fillimin e bisedimeve natyrisht që nuk mund të caktohet tani për sa kohë ne kemi nevojë për dialog me Brukselin dhe dialog me Beogradin. Duhet ta përgatisim mirë dialogun dhe unë pres që të takohem me pasardhësen e zonjës Mogherini në mënyrë që të përcaktojmë parimet se si të ecim përpara dhe dialogu i ardhshëm të mos dështojë. Për marrëveshje me Serbinë duhet të ndryshojë shumë më tepër Serbia se Kosova”, tha Kurti.

Pas takimit të mbrëmshëm, ai ka mohuar se Rama është pro shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk është kryeministri i Shqipërisë për shkëmbim territorial dhe gjithashtu ne angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe dialogun e ardhshëm me Serbinë do ta udhëheq unë si kryeministri i ardhshëm”, u shpreh Kurti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb