Policia Snajolle ka çmontuar një plantacion të madh marijuane të operuar nga mafia shqiptare në fermën historike të Can Esteve, në Cervelló të Soanjës. Sipas ElCaso.com, operacioni u zhvillua në ish restorantin “La Font de la Resclosa” , i mbyllur që nga viti 2017. Shtëpia në fermë, e ndërtuar në vitin 1429 dhe e shpallur trashëgimi historike, strehonte më shumë se 3000 bimë në një gjendje të avancuar prodhimi.
Ndërtesa, një ndërtim luksoz prej më shumë se 600 metrash katrorë me tre kate, ishte shndërruar në një objekt industrial për kultivimin e marijuanës. Sipas burimeve policore, trafikantët e drogës kanë shkatërruar pjesën e brendshme të pronës, duke dëmtuar potencialisht elementë me vlerë trashëgimie. Përveç kësaj, ata manipuluan rrjetin elektrik për të furnizuar nevojat energjetike të plantacionit, një krim i zakonshëm në këto operacione klandestine.
Pasi morën një urdhër gjykate, agjentët e Mossos, me mbështetjen e Policisë Lokale Cervelló dhe Njësisë së Dronëve, hynë në pronë. Ata arrestuan tre burra me kombësi shqiptare , të dyshuar si “kopshtarë” të plantacionit, të cilët tani përballen me akuza për krime kundër shëndetit publik dhe mashtrim me energjinë elektrike.
Këto operacione janë pjesë e strategjisë së mafies shqiptare, e cila e ka kthyer Katalonjën në një pikë kyçe për prodhimin e marijuanës për tregun europian, veçanërisht në Francë dhe Gjermani.
Hetimet vijojnë për identifikimin e drejtuesve të organizatës që qëndron pas këtij operacioni. Ndërkohë, autoritetet kanë asgjësuar drogën e konfiskuar dhe do të vlerësojnë dëmet në trashëgiminë historike të fermës. Ky rast nxjerr në pah ndikimin e krimit të organizuar në trashëgiminë kulturore dhe mjedisin lokal, ndërkohë që forcon luftën kundër trafikut të drogës në Katalonjë./Vila Press/