Gjatë vizitës së tij shtetërore në Zagreb, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u nderua sot në një ceremoni solemne nga Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitarović, me Titullin më të lartë të Republikës së Kroacisë, “Urdhri i Lartë i Mbretit Tomislav me Shirit dhe Yllin e Madh”, për kontributin dhe veprimtarinë e Tij të spikatur në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë, dhe fqinjësisë së mirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë për nderimin me titullin e lartë, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera gjatë kësaj ceremonie se “ky vlerësim më motivon për të punuar pa u lodhur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera historike e tradicionale mes dy vendeve e popujve tanë në të gjitha fushat. Shqipëria dhe Kroacia, partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë!”.

Ndërsa, në një mesazh në “Facebook”, Presidenti Meta shkruan: “Shumë i nderuar për vlerësimin nga Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarović, me “Urdhrin e Lartë të Mbretit Tomislav me Shirit dhe Yllin e Madh”. Akordimi i Titullit më të lartë të Republikës së Kroacisë, më motivon për të punuar pa u lodhur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera historike e tradicionale mes dy vendeve e popujve tanë në të gjitha fushat. Shqipëria dhe Kroacia, partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb