Të veshur me uniformën ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke kënduar këngën “Mora fjalë”, kushtuar heroit legjendar Adem Jashari, në këtë mënyrë hynë në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit një grup qytetarësh nga Kosova.
Të nisur drejt Shqipërisë për të festuar 28-29 Nëntorin dhe teksa këndonin me pathos këngë heroike, përfaqësuesi i këtij grupimi nderoi me stemën e UÇK-së, Oficerët e Policisë Kufitare të Shqipërisë në pikën e Morinit.
Dhjetëra qytetarë të tjerë të Kosovës, të veshur me kostume kombëtare kanë zgjedhur të festojnë në disa qytete të Shqipërisë, me familjarët apo miqtë e tyre.