Florian Binaj është imazhi i ri i Universitetit Europian të Tiranës. Ndërsa xhirohej spoti publicitar, prania e aktorit në mjediset e universitetit ngjalli jo pak kureshtje. Në bashkëpunimin trevjeçar mes tij dhe UET, Binaj do të përfshihet në një sërë veprimtarish si leksione të hapura, botime e ekspozita. Aktori sjell një mesazh shprese dhe optimizmi për të rinjtë që zgjedhin mbi të gjitha dijen për të thënë se suksesi, nuk vjen pa kaluar nga dyert e auditorëve…
Prania e Florian Binajt në oborrin e Universitetit Europian të Tiranës nuk kaloi pa mbërthyer kureshtjen e studentëve që nxitonin drejt sallave të provimeve, në këtë fund sezon.
Kureshtja bëhej edhe më e madhe, nga prania e kamerave përballë aktorit. Çfarë po gatuan aktori i dashur i humorit, arkitekti i dhjetëra roleve ikonike e qindra batutave që janë bërë pjesë e kulturës urbane?! Skeç i ri? Film? Emision?
Dublat përsëriten mes shumë studentëve kalimtarë që duan ta përshëndesin aktorin, duke përdorur edhe batutat e tij.
“Kjo është koha jote”, përsërit ai, ndërsa u drejtohet atyre të rinjve, që këtë verë u duhet të zgjedhin të ardhmen, përmes degës së studimeve.
Në po të njëjtën ditë, një maturant si shumë syresh, kërkon të konsultohet se cila degë do t’i shkonte më shumë prirjeve dhe pasioneve të tij. Komunikim apo Aktrim, është dilema e të riut, ndërsa UET ofron gjithashtu programe të Arteve, si pjesë e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, jo vetëm në aktrim, por edhe në muzikë.
Florian Binaj vjen në UET si imazhi më i ri, ndërsa po xhiron reklamën, e cila do t’i japë kështu udhë stinës së regjistrimeve.
Binaj thotë se me Universitetin Europian të Tiranës e bëri bashkë dashuria për dijen. E pranoi me dëshirë ftesën për t’iu bashkuar universitetit në këtë projekt trevjeçar, për t’u bërë edhe një lloj roli-model për brezin e ri, që vuan të ketë të tillë në shoqërinë e sotme.
Megjithë talentin, që e bëri të njohur e të dashur për publikun në moshë fare të re, Binaj ka kryer studimet për Pikturë në Universitetin e Arteve dhe më pas për Arkitekturë dhe Dizajn.
Ndërsa ecën nëpër korridoret e Universitetit Europian të Tiranës, jo vetëm e njohin, por ai gjen edhe të njohur.
Një prej tyre, shoku i fëmijërisë, tashmë është administratori i UET, me të cilin takohet sërish në një shkollë.
Të tjerë miq të tij, kanë zgjedhur UET për studimet Master, të vetëdijshëm se thellimi i dijeve në një cikël të dytë është i domosdoshëm në tregun e punës.
Flori është nga ata shembuj që famën dhe suksesin e kanë arritur falë punës së palodhur. Ai numëron tashmë dy dekada karrierë si aktor i humorit, por talenti i tij është shumëdimensional. Ka çelur ekspozita si piktor dhe ka pasion fotografinë, veçanërisht atë të florës dhe faunës shqiptare.
Në UET, Binaj nuk do të jetë vetëm imazhi i reklamave, por gjithashtu do të jetë i ftuar si lektor për një cikël leksionesh të hapura e do të bashkëpunojë me universitetin për botime e ekspozita arti.
Universiteti Europian i Tiranës ka qenë një nga mbështetësit e artit dhe talenteve të reja, që në fillimet e tij, me Bursat e Talentit dhe prej disa vitesh tashmë e ka shtrirë ofertën akademike edhe në fushën e Arteve, me Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale.
Ai i bashkohet kështu familjes së madhe të UET, që numëron rreth 20 mijë të diplomuar dhe është pjesë e rëndësishme e komunitetit, ku shumë prej ish-studentëve kanë sot poste të rëndësishme, si në sektorin privat ashtu edhe atë publik e shumë të tjerë kanë ngritur karrierë në vendet e Perëndimit. Studentët dhe të diplomuarit e UET mbajnë lidhjen e fortë me universitetin përmes rrjetit të UET Alumni, ku ky institucion i arsimit të lartë privat mbetet pionier. Po ashtu studentët që zgjedhin Universitetin Europian të Tiranës përveç organizimeve në UET Ekselencë apo qeverisë studentore, kanë mundësi të arta për praktika, internshipe dhe punësim në bizneset e vendit, me të cilat universiteti mban vazhdimisht kontakte dhe organizon Panairin e Punës.
“Nëse duhet të përcjell një shpresë, më mirë se në UET nuk mund të jetë”, thotë Florian Binaj. Universiteti Europian i Tiranës është gjithëpërfshirës, duke ofruar një gamë të gjerë zgjedhjesh për studimet e larta në të tre ciklet për ata që këtë verë do të vendosin për të ardhmen e tyre, nga Ekonomiku, Juridiku, Shkencat Kompjuterike, Arkitektura, Shkencat Humane e deri tek Artet e Aplikuara dhe Sportet.
“Kjo është koha që ju vendosni. Koha për të ardhmen tuaj”, thotë aktori i bindur në ekselencën e UET, që e bëri edhe ta pranonte ftesën mes shumë kërkesave që kishte. Ishte pikërisht cilësia pa kompromis dhe puna serioze, me të cilat edhe ai si profesionist në fushën e arteve dhe televizionit identifikohet.
Me Universitetin Europian të Tiranës, në këtë rrugëtim tre vjeçar, Binaj sjell një mesazh shprese dhe optimizmi për të rinjtë që zgjedhin mbi të gjitha dijen për të thënë se suksesi, nuk vjen pa kaluar më parë nga dyert e auditorëve…