TIRANE – Shqipëria ka realizuar një kualifikimin historik në “EURO 2016”, për të cilin pa diskutim një përqindje të madhe të meritës e ka trajneri Xhani De Biazi. Në dhjetor zyrtarizimi për ish¬-ndihmësin e Fabio Kapelos Oreste Çinkuini, drejtor teknik i Kombëtares Federata Shqiptare e Futbollit pritet të shtojë stafin e Kombëtares.

Në muajin dhjetor pritet të emërohet drejtori i ri teknik, post që aktualisht nuk e mban asnjë. Në fakt, është parë e nevojshme që të jetë një person me eksperiencë dhe me njohuri të madhe në arenën ndërkombëtare. Vetëm dy ditë më parë e paralajmëroi anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Fatbardh Jera, duke u shprehur se do të jetë italian dhe se ka punuar në stafin e Fabio Kapelos, gjatë kohës që ky i fundit drejtonte Kombëtaren e Rusisë.

Gazeta “Panorama Sport” ka arritur të gjejë edhe emrin e tij. Bëhet fjalë për Oreste Çinkuinin, 68 vjeç, me eksperiencë të gjatë në klubet e Serisë A. Ndonëse nuk ka pasur një karrierë të pasur si futbollist, ka qenë në poste të larta drejtuese në klube si Fiorentina, Bolonja, Lacio, Udineze, Parma apo Kaljari. Te këta të fundit ishte edhe drejtor i përgjithshëm, ku ra në sy për blerjet efikase. Në sezonin 2008¬’09, ishte drejtues te Piza dhe i bëri klubit një “dhuratë”, kur mori nga akademia e Interit mbrojtësin Leonardo Bonuçi, i cili do të binte në sy dhe më vonë do të bënte një karrierë shumë të suksesshme. Ndërkohë, eksperienca e fundit ka qenë ajo e përgjegjësit teknik për ekipin te Kombëtarja e Rusisë, gjatë periudhës që në krye të pankinës ishte i mirënjohuri Fabio Kapelo.

Çinkuini pritet të zyrtarizohet brenda këtij viti dhe do të ketë mundësinë që të njihet me skuadrën dhe ambientin në Shqipëri, ku pa diskutim që do të ketë një bashkëpunim të afërt me bashkatdhetarin e tij, Xhani De Biazi. Kualifikimi i Shqipërisë në “EURO 2016” ka bërë që të gjithë personat që kanë dhënë kontribut të marrin edhe shpërblime financiare. Saktësisht, trajneri Xhani De Biazi ka marrë 200 mijë euro për realizimin e objektivit. Shtuar këtu edhe 20 mijë euro për çdo fitore që ka arritur në ndeshjet e grupeve.

Ndërkohë, të gjithë ndihmësit e italianit kanë marrë secili nga 50 mijë euro. Do të jetë një shifër prej plot 2 milionë eurosh, e cila do t’u jepet futbollistëve për ta ndarë vetë mes tyre. Kohët e fundit ka pasur një “telenovelë” mbi vazhdimësinë e tij, por duket se historia ka marrë një kthesë të papritur, kur është mësuar klauzola e rinovimit. Ishte thënë që me kualifikimin e kuqezinjve në Europian kontratës, që përfundonte në muajin dhjetor, do t’i shtoheshin automatikisht edhe 6 muaj. Por, duket se ka qenë një klauzolë që favorizon ndjeshëm federatën në raportin me teknikun, sa i përket vazhdimit të bashkëpunimit.

Aktualisht, Xhani De Biazi është në kontratë për të qenë trajneri i Shqipërisë deri në fund të vitit 2017, ku përfundojnë edhe eliminatoret e Kupës së Botës. Me të njëjtat kushte që ka pasur edhe më parë, sa u përket përfitimeve. Madje, nëse italiani dëshiron që të largohet në fund të kampionatit europian, duhet të paguajë dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh. Një kontratë që duket se ka bërë “rokadë” edhe në raportin e bisedimeve. Nga presioni mbi federatën për t’i ofruar rinovimin, tani kalon te tekniku, i cili dëshiron të përfitojë më shumë. Momentalisht ai merr afro 250 mijë euro në sezon, por që ka përfituar edhe një shpërblim prej 200 mijë eurosh mbi realizimin e objektivit, që ishte kualifikimi në “EURO 2016”.

Gjithsesi, mbi shpërblimin e premtuar nga federata prej 2 milionë eurosh, aty nuk përfshihet stafi teknik. Ajo shumë do t’u jepet futbollistëve, të cilët do ta ndajnë vetë midis tyre. Duke iu referuar deklaratave të presidentit Duka, ai do të pranojë të ulet në bisedime me teknikun italian vetëm në përfundim të Europianit, ku mund të jetë mundësia e ofrimit të një kontrate të re, mbase më afatgjatë. Tashmë federata e ka kaluar “topin” në dorën e Xhanit. Të qëndrojë me një kontratë pa përfitime shumë të majme, apo të largohet para kohe duke paguar 100 mijë euro.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb