TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dhënë sot masa disiplinore vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra për dy gjyqtarë, të propozuar nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Bëhet fjalë për ish-gjyqtarin e Gjykatës Dibër, aktualisht gjyqtar në Shkodër A.J. dhe gjyqtarin e Rrethit Gjyqësor Kavajë, O. A.

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vendosi të miratojë propozimin e Ministrit të Drejtësisë, për t’i dhënë masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, gjyqtarit A.J. Mbledhja vijoi me kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O. A. Në përputhje me procedurën, pasi dëgjuan observacionin e gjyqtarit, anëtarët e KLD-së, rrëzuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit O.A. Sipas parashikimeve ligjore, një nga anëtarët e KLD-së, propozoi masën disiplinore të “Vërejtjes me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, për gjyqtarin O.A, e cila u votua nga Këshilli.

Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e Këshillit shqyrtuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtares të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, P.F. Pas dëgjimit të observacionit të gjyqtares dhe diskutimeve, Këshilli vendosi të rrëzojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” për gjyqtaren P.F. Pas kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtaren P.F.

Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtares P.A. Pas dëgjimit të observacionit të gjyqtares, Këshilli vendosi të rrëzojë propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, për gjyqtaren P.A. Edhe pas rrëzimit kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtaren në fjalë.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si: Miratimi i studimit vlerësues mbi ngarkesën e punës në Gjykatën Administrative të Apelit, përgatitur nga grupi i punës së ngritur për këtë qëllim. Miratimi i “Planit mbi inspektimin tematik të gjykatave për çështjet e dhunës në familje”. Miratimi i “Planit mbi inspektimin tematik të gjykatave administrative” përgatitur nga Inspektorati i KLD.

Sipas përcaktimit të rendit të ditës, anëtarët e KLD-së diskutuan mbi zbatimin e vendimit nr. 4, datë 13.10.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për rishqyrtimin e kërkesës për procedimin disiplinor të Ministrit të Drejtësisë, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, A.Ç.

Më tej Këshilli miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për shpalljen publike të një vendi vakant për gjyqtarë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, si dhe kërkesën e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës për miratimin e listave të gjyqtarëve që kanë aplikuar për pjesëmarrje në formimin vazhdues, viti akademik 2014-2015.

Mbledhja vijoi me zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit për të Verifikuar Mbarimin Para Kohe të Mandatit të Anëtarit, parashikuar në ndryshimet më të fundit që i janë bërë, ligjit nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”. Pas procesit të votimit, anëtarë të këtij Komisioni u zgjodhën  Artan Broci, Dritan Caka dhe Albana Shtylla.

Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 20 (njëzet) gjyqtarët e mëposhtëm:

Klodiana Gjyzari, Rrethi Gjyqësor Vlorë.

  1. Albert Spiro, Rrethi Gjyqësor Vlorë.
  2. Artan Gjermeni, Rrethi Gjyqësor Tiranë.
  3. Rezarta Mataj, Rrethi Gjyqësor Tiranë.
  4. Eda Kaja, Rrethi Gjyqësor Durrës.
  5. Merita Xhani, Rrethi Gjyqësor Durrës.
  6. Enerjeta Deraj, Administrative Shkalla e Parë Tiranë.
  7. Zihni Shahu, Rrethi Gjyqësor Elbasan.
  8. Durim Hasa, Rrethi Gjyqësor Berat.
  9. Arben Mullaj, Rrethi Gjyqësor Tiranë.
  10. Elda Vrioni, Administrative Shkalla e Parë Tiranë.
  11. Mimoza Margjeka, Rrethi Gjyqësor Durrës.
  12. Drita Veliu, Rrethi Gjyqësor Kukës.
  13. Taulant Banushi, Rrethi Gjyqësor Fier.
  14. Roland Hysi, Rrethi Gjyqësor Fier.
  15. Adelina Zarka, Rrethi Gjyqësor Fier.
  16. Alfred Gjoni, Rrethi Gjyqësor Kurbin.
  17. Luan Dervishi, Apeli Shkodër.
  18. Arta Llazari, Rrethi Gjyqësor Shkodër/Këshilltare në Gjykatën Kushtetuese.
  19. Pëllumb Zaimi, Rrethi Gjyqësor Berat.

Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: