Nga: GERILINA KODHELI*

TIRANE – E kemi njohur si aktore, megjithatë Klea Huta ka guxuar të eksperimentojë edhe në fusha të tjera, si muzika, modelingu apo moderimi. Aktorja, e cila është shfaqur në serialin “Milenium”, ka arritur të tërheqë vëmendjen e audiencës me talentin e saj. Ndonëse e re në profesion, Klea është veçuar për një interpretim dinjitoz, i cili do t’i hapte edhe rrugët e së ardhmes. Në një intervistë për “Summer Pages”, aktorja na rrëfen të gjitha këto përvoja, guximin për të moderuar evente të rëndësishme si “Gjeniu i Vogël” apo “Festivali i Radio Televizionit Shqiptar”. Në lidhje me të ardhmen, Klea tregon se e ka një ambicie shumë të madhe, por jashtë territorit tonë, më saktë në kontinentin që quhet “Toka e premtuar”, ku i referohet Hollywood-it. Ndërsa për gjithçka që ka arritur deri tani, aktorja e re pohon se: “Ishte fati im që gjërat morën rrugën e duhur drejt asaj që punohej e ëndërrohej nga unë. Nuk mund të jap një përgjigje konkrete se përse”.
Aktore, këngëtare dhe moderatore, ku e gjen veten më mirë?
Mund t’i bëj të tria mjaft mirë, por vjen një pikë në jetë kur duhet të zgjedhësh prioritetet e tua. Për mua janë dy, aktrimi dhe prezantimi. Ndërkohë, kënga është pjesë plotësuese e imja, ia ndjej mungesën, e nxjerr nga kordat dhe bashkë këndojmë për publikun tonë.
Në cilën prej këtyre tri zhanreve të artit e sheh të ardhmen tënde?
Nuk e di tamam se çfarë rezervimi është bërë për mua në listën e njerëzve me ambicie, që ndoshta i kalojnë dhe kufijtë e imagjinatës! Por di që zgjedhjet e mia do jenë të menduara mirë, ashtu siç kam bërë deri më sot.
Një “Kripmjaltëz” e vogël, që tashmë është një zonjushë e njohur me një karrierë premtuese. Ndihesh me fat?
Ndihem me shumë fat dhe i falem Zotit çdo ditë e natë për gjithçka që më ka falur! I them kujtdo që mund ta lexojë këtë intervistë: mos hiqni dorë kurrë nga ëndrrat tuaja; herët apo vonë mundi i gjithkujt do shpërblehet.
Çfarë mendon se ka ndikuar më shumë në popullaritetin tënd? Çfarë e ka veçuar Klean nga të gjitha vajzat e tjera që kanë pretenduar një karrierë të tillë?
Ishte fati im që gjërat morën rrugën e duhur drejt asaj që punohej e ëndërrohej nga unë. Nuk mund të jap një përgjigje konkrete se përse.
Të besuan një program të madh, po këtë vit në cilat projekte do impenjohesh?
Zgjodha që gjatë verës të pushoja pothuajse aq sa e kisha planifikuar, për t’u rikthyer me projekte relativisht të mëdha në sezonin që na pret. Nuk dua të zbuloj asgjë, sepse dua t’i jap kohën që i takon gjithçkaje.
Mendon se mund ta zëvendësosh në të ardhmen Rudina Magjistarin dhe të jesh pasuesja e saj?
Rudina për mua është një moderatore tashmë ikonë e ekraneve shqiptare, të cilën unë e vlerësoj. Mendoj se gjithkush ka fatin e tij. Për këtë arsye unë dua dhe do eci në gjurmët e mia.
Një nga eventet më të rëndësishme të vitit është Festivali i RTSH-së, në të cilin këtë vit ishe prezantuese. Ndiheshe gati për atë përvojë?
Nuk e di si dhe pse, por e ndjeja që atë vit festivali i RTSH-së do ishte në moderimin tim. Zoti ose fati deshën që parandjenjat e mia të mishëroheshin realisht në skenën e Pallatit të Kongreseve.
Cila ka qenë oferta e punës më e çuditshme që ke marrë deri tani?
Deri tani kam marrë oferta të jashtëzakonshme!
Çfarë nuk do pranoje kurrë të bëje në një film?
Asgjë që nuk do ishte në skenar, pas bisedimit paraprak me regjisorin përkatës.
Cila është sakrifica më e madhe që do bëje për famë?
Për famë ndoshta jo, por për sukses, të braktisja vendin tim, sigurisht me dëshirën e madhe për t’u rikthyer një ditë.
Pse po flasin të gjithë për Klean?
Mendoj se më mirë është t’i pyesim ata se përse…
Ku dhe me kë i kalove pushimet?
Një pjesë me shoqërinë dhe pjesën më të madhe me familjen, në Jug të Shqipërisë.
Çfarë nuk do falje kurrë në dashuri?
Atë që unë do ta konsideroja të pafalshme!
Cila është ambicia jote më e madhe sa i takon karrierës?
E kam një ambicie shumë të madhe, por jashtë territorit tonë, më saktë në kontinentin që quhet “Toka e premtuar”.
Cila është përvoja jote më bizarre gjatë pushimeve, apo në jetë?
Gjarpri është kafsha më e padëshiruar për mua. Dhe njëherë, duke ecur nëpër gurë afërsisht buzë detit, kuptuam që nuk ishim vetëm, por kishim dhe një shoqërues, ishte dhe një gjarpër. Aty nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur, sepse unë u bëra njësh me tokën!
Çfarë do të të bënte ta urreje një kolege apo një femër?
Në lidhje me mua, ta urreja ndoshta jo, por s’më pëlqejnë të merren me punët e mia. Pastaj, nëse e marrim në kontekst të përgjithshëm, gjithsecili e di vetë si vepron dhe një arsye e ka. S’jam askush për të gjykuar askënd, sepse një shprehje popullore thotë: “Nëse do të më gjykosh, ec në këpucët e mia”.
Sipas teje, cili është gjesti më human?
Të ndihmosh të moshuarit. Dhe sidomos sjellja e mirë me ata persona prej të cilëve ti nuk ke kurrfarë interesi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: