NGA ENIDA HIMAJ

Klea është ndër ato imazhe që publiku shqiptar e dashuron. Në çdo dalje të saj, ajo di se si të fitojë zemrat e ndjekësve. Dhe jo pa arsye! Këtë herë brunia simpatike i rikthehet ekranit me një projekt shumë të rëndësishëm. “Gjeniu i Vogël” na mirëpret edhe sivjet me Klea Hutën në krye të këtij formati. Moderatorja e dashur rrëfen për “Vip Pages”, se ky produksion pa dyshim është gjëja më e bukur në karrierën e saj. Për të, puna me fëmijët është një bekim më vete. “Janë artistë të vërtetë, shumë më të impenjuar dhe shumë më të përgjegjshëm, mbase edhe më shumë se të rriturit”, shprehet prezantuesja.

Krahas punës në televizion, shumë e kompletuar është edhe me rolet e shumta që ka si aktore. Edhe pse një prej femrave më të bukura në Shqipëri dhe gjithnjë në formë, ajo refuzon të flasë për jetën private, duke u shprehur se preferon të mos e ndajë me mediat këtë pjesë.

Klea rikthehet suksesshëm te “Gjeniu i vogël”; si e përshkruani këtë kthim?
E përshkruaj si gjënë më të bukur në karrierën time artistike, sidomos kur ke të bësh me fëmijë, të cilët për mua janë gjëja më e shenjtë në botë. Jam e lumtur mes tyre, e lumtur gjithashtu për sa i përket bashkëpunimit me Bledi dhe Pandi Laçon.

Çfarë e joshi ‘Gjeniun’ te Klea, po Klean te ‘Gjeniu’?
Absolutisht kam gjetur veten në këtë format. Ndoshta ajo që më mungonte paska qenë pikërisht prezenca ime në atë skenë të magjishme.

Si është të punosh me fëmijët, a janë më impenjativë se të rriturit?
Janë artistë të vërtetë, shumë më të impenjuar dhe shumë më të përgjegjshëm. Mbase edhe më shumë se të rriturit. A e ka konfirmuar Klea veten si imazh televiziv, si një prej prezantueseve më të kërkuara nga publiku? Më shumë sesa unë veten, kam përshtypjen që produksionet ku unë kam qenë pjesëmarrëse e kanë vetëkonfirmuar këtë fakt. E thënë kjo brenda modestisë.

A keni rivale?
Unë kam bashkëpunëtore. Mbase unë jam rivalja e dikujt, por unë nuk kam rivale.

Si është sot tregu mediatik në Shqipëri, nga çfarë po vuan?
Nga mungesa e profesionalizmit në gjithë përgjithësinë që e karakterizon.

Ndërkohë Klea si aktore, si e gjen veten?
Jam e lumtur që kam pasur fatin të jem pjesë e disa projekteve në teatër, ku së fundmi përmend shfaqjen “Zbutja e Kryeneçes”, me regji të Elma Doresit, me një sukses të jashtëzakonshëm. Skena ka një magji të madhe për mua, ndaj dhe e adhuroj aktrimin.

Si e përkufizoni veten?
Me fat!

Gjithnjë në formë perfekte fizike; sa kujdeseni për veten?
Kam një vit që ushtroj aktivitet fizik në palestër dhe ndihem mirë. Më lejoni të falënderoj të vetmin njeri që më motivon për të shkuar, Edmond Stafa. Nga ana tjetër, edhe make up artistja ime, Suela Cangu, që përpiqet gjithnjë të shndërrojë imazhin tim.

Si është jeta private e Kleas?
Vazhdon të mbetet ende e tillë!

Ku do t’ju shikojmë pas “Gjeniut”?
Disa projekte të rëndësishme më presin brenda e jashtë vendit. Më 1 qershor ju pres në Teatrin e Operës dhe Baletit, në festivalin e Eurovizionit për fëmijë, ku edhe këtë vit do ta prezantoj unë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: