NGA ENIDA HIMAJ

Klea Huta është gati për të prekur skenat ndërkombëtare. Bukuroshja e ekraneve tona ka rënë në sy të producentëve turq, të cilët i kanë ofruar të jetë pjesë e një seriali turk. Vetëm pak ditë më parë lajmi se Klea do të ishte pjesë e një telenovele turke bëri xhiron e rrjeteve sociale. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë ftesë është se Klea do të luajë në krah të aktorit të mirënjohur turk, Engin Altan Düzyatan, i njohur për rolin e tij si Ertugrul. Në një prononcim për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, ‘showgirl’-i rrëfen më shumë detaje nga ky projekt.

“Pak kohë më parë kam marrë një ftesë për të qenë pjesë e telenovele të re, që do të nisë së shpejti xhirimet në Turqi. Është një serial që do të fitojë shumë shpejt zemrën e publikut”. Por, si një nga aktoret e rëndësishme të telenovelës, Klea tregon dhe takimin e saj me Ertugrulin. “E takova ndërkohë që ai ishte në sheshxhirim me ‘Ertugrul’. Unë isha së bashku me delegacionin nga Shqipëria dhe ishte një takim shumë miqësor. U ulëm dhe si tradita e do, na ofroi çaj.

Më tej biseduam për projektin e ri që do të nisë së shpejti, ku ne të dy do të jemi pjesë. Engini ishte një person i thjeshtë, shumë i komunikueshëm dhe miqësor. Siç shihet edhe nga televizioni, ishte një mashkull shumë simpatik dhe një aktor shumë i kompletuar. Ishte bërë baba dhe ishte shumë i lumtur për këtë fakt. Bisedat kryesisht u vërtitën rreth telenovelës më të re që do të bëjmë së bashku. Më uroi suksese dhe më pas vijuam vizitën në ambientet ku dhe po luhet telefilmi ‘Ertugrul'”, tregon aktorja e mirënjohur. Edhe pse ky projekt do ta zhvendosë për disa kohë nga Shqipëria, Klea thotë se nuk ka ndërmend ta braktisë vendin e saj.

“Nuk e kam menduar asnjëherë ta braktis Shqipërinë. Unë thjesht po shijoj famën si dhe po përpiqem të prek edhe skenat e tjera europiane jashtë Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë që do të largohem përfundimisht”. Kur bëhet fjalë për një super produksion turk, dihet që shuma e ofruar nuk është e vogël, edhe pse moderatorja e mirënjohur nuk ka pranuar të japë shifra.

“Mund të them që ishte një ofertë e majme, por natyrisht që nuk preferoj të jap shifrën”, mbyll prononcimin e saj Klea Huta. E për të mësuar më shumë për rolin që bukuroshja do të ketë pranë “Etrgrulit”, do të na duhet të presim vitin tjetër, për të parë kështu një shqiptare që prek ëndrrën për të qenë pjesë e kinematografisë botërore.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: