Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka dhënë detaje rreth vetëdorëzimit të Klement Balilit, i cili ishte në kërkim prej më shumë se dy vitesh nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Veliu ka zbuluar edhe dy kushtet që Balili i kishte vendosur autoriteteve. Sipas Veliut, si kusht i parë i Balilit ishte që mos të keqtrajtohej nga punonjësit e policisë si dhe fakti që të deklarohej vetëdorëzimi. Mes të tjerash Veliu tha se pas konktakteve me familjarët e Balilit, kjo gjë u arrit vetëm pas 3 muajsh negociata.

“Balili kishte dy kushte për vetëdorëzimin. Së pari që mos të keqtrajtohej dhe që të deklarohej vetedorëzimi. Jam kontaktuar nga familjarët pas 3 muajsh negociata. Shkova personalisht me një makinë shoqëruese”, tha Veliu.

“BalkanWeb” mësoi se Balili u vetëdorëzua sot në orën 8:45 te kthesa e Shijanit, mes Delvinës dhe Finiqit, ndërsa ishte i shoqëruar nga nipi i tij Rigers Balili. Klement Balili pasi u mor në pyetje në ambientet e komisariatit nr.6, ku u bë edhe ekzekutimi i urdhrit të arrestimit, ai iu drejtua Policisë së Tiranës, ndërsa u transportua me makinë policie.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb