Zbardhet vrasja e Klevis Kapllanit, i cili u gjet i vrarë me armë zjarri në makinë në Rrogozhinë. Ngjarja ndodhi në shtator të vitit 2020. Vrasja në fjalë u zbardh pas hetimeve të SPAK, ndërsa ky i fundit lëshoi sot mbi 35 urdhër-arreste. Përveç kësaj ngjarje, janë zbardhur edhe disa krime të tjera. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

Kapllani ishte shok i Nuredin Dumanit, një prej të penduarve të drejtësisë që ka çuar në zbardhjen e shumë krimeve me rrëfimeve të disa bandave në vend.

Dumani dhe Klevis Kapllani, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj dhe para se i penduari i drejtësisë të arrestohej nga policia, ata shoqëroheshin bashkë në publik.

Kapllani dyshohej si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Elbasan dhe Peqin.

Lidhjet me personazhet e botës së krimit
Pas vrasjes së tij, grupi hetimor sekuestroi kamera të sigurisë pranë banesës së 33-vjeçarit dhe mori në pyetje familjarë të viktimës. Nga këqyrja e kamerave, rezultoi se në ditët e para të shtatorit, 33-vjeçari kishte strehuar personin e rrezikshëm që i fshiheshin drejtësisë. Gjithashtu u ngritën dyshime se Klevis Kapllani kishte bashkëpunuar me Nuredin Dumanin, për disa ngjarje kriminale të ndodhura në trekëndëshin Elbasan-Durrës-Rrogozhinë. Përveç strehimit Klevis Kapllani dyshohet se e ka ndihmuar edhe me transport pasi në të paktën një rast makina e autorëve të një vrasjeje në Durrës është djegur rreth 2 kilometër larg banesës së tij.

Dyshimet në lidhje me përfshirjen e 33-vjeçarit Klevis Kapllani në aktivitete kriminale në Shqipëri përveç precedentëve për trafik droge në Itali forcohen edhe më tej për faktin se 3 ditë para vrasjes, ai u ka dhënë mjetin e tij ‘Audi Q7’ në përdorim personave ende të paidentifikuar me të cilët kishte rënë dakord për t’ia kthyer më datë 14 shtator. Vetëm një ditë më pas ai u gjet i ekzekutuar me breshëri plumbash në rrugën pranë shtëpisë. Sipas dyshimeve të policisë në atë kohë, Nurdin Dumani ka eliminimuar bashkëpunëtorin e tij, për të zhdukur çdo gjurmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: