Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar ashpër pas dëshmisë së Fadil Fazliut në Gjykatën Speciale, ku ky i fundit ka deklaruar pafajësinë ndaj akuzave që rëndojnë mbi të.
Në një postim në Facebook, Klinaku ka kritikuar sistemin e drejtësisë dhe ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për shpifje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarëve të saj.
“Prokurorët, Gjykatësit, por edhe Avokatët punojnë vetëm për çështjen e tyre materiale. Po të kishte drejtësi, dëshmitarët e ZPS-së që po shpifin ndaj UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj, qoftë me vullnet, qoftë me kërcënim e shantazh nga ana e ZPS-së, duhet të ishin në burg”, ka shkruar Klinaku.
Ai shprehu bindjen se akuzat ndaj Fazliut, Bashkim Smakës, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, të cilët po akuzohen nga ZPS-ja për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, janë të pabazuara dhe se drejtësia po manipulohet për qëllime të caktuara.
Ndryshe, Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi të premten një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.
Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë një ditë më vonë, tha gjykata.
Gjykata shtoi se Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.