TIRANE – Si mund t’i zbulojmë sa më parë defektet e lindura në zemër? A dallohen që në shtatzëni? Çfarë duhet të bëjnë prindërit që t’i zbulojnë sa më parë? Cilat raste zgjidhen sot në QSUT? A jetojnë normalisht si gjithë fëmijët e tjerë pas një operacioni në zemër? Dhe për çfarë kanë nevojë sot mjekët që të shpëtojnë sa më shumë fëmijë?
Këto pyetje dhe mjaft të tjera të ardhur nga bashkëbisedimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, të shtunën në mbrëmje, në emisionin “Klinika 24”, drejtuar nga Doreada Mio, kanë rikthyer vëmendjen drejt problemeve në zemër tek të sapolindurit. Kardiokirurgët Arben Baboçi dhe Altin Veshti në studio dhe doktoresha Numila Kuneshka nga zyra e saj, kanë shpjeguar mbi diagnozat, numrin e të operuarve, llojet e operacioneve e sidomos rëndësinë që kanë diagnostikimet në kohë tek të sapolindurit.
Por a mundemi në, si bashkëqytetarë të bëhemi pjesë e ndihmës për shpëtimin e sa më shumë jetësh të fëmijëve të lindur me defekte në zemër? Duke iu bashkangjitur këtij shpjegimi, Agim Baçi, Kryetar i shoqatës “Një botë për një zemër” ka bërë thirrje për t’i mbështetur mjekët në QSUT përmes blerjes së disa pajisjeve që do të rrisnin cilësinë e ndërhyrjeve. Eshtë një mundësi – siç shpjegoi Doktor Veshti – që vjen nga mjekët italianë që asistojnë prej 12 vitesh në Shqipëri me ndërhyrje humanitare, të cilët kanë ofruar blerjen e disa pajisjeve që kushtojnë rreth 70 mijë euro me një shumë në më pak se 20 mijë euro.
“Doktor Vanini që asiston bashkë me shumë kolegë të tij prej 12 vitesh këto ndërhyrje në Shqipëri ofroi një mundësi, që këto pajisje të shtrenjta të na i mundësonte për një shumë modeste”, u shpreh Veshti.
Ndërkohë, Baçi iu drejtua për ndihmë bashkëqytetarëve përmes “News 24” që të bëhen pjesë e këtij aksioni në ndihmë të Kardiokirurgjisë Pediatrike. “Eshtë shumë e rëndësishme kur bashkëpunojnë qytetarët, që është edhe një praktikë shumë e njohur sot në mjaft vende, ku prindërit kontribuojnë për të përmirësuar infrastrukturën. Dhe nuk ka pse dikush ta ndjejë shumë të rëndësishme këtë proces vetëm nëse u ndodh vetë një ngjarje e tillë në familje apo tek të afërmit. Nuk ka emocion më të madh se sa të bëhesh pjesë e një procesi që shpëton jetë”, tha Baçi, duke bërë thirrje që përmes shoqatës që drejton “Një botë për një zemër” të bëhet e mundur blerja e këtyre pajisjeve që do t’iu dhurohen Repartit të Kardikirurgjisë Pediatrike. Në kuadër të kësaj thirrje janë bërë të njohur edhe dy numra llogarie për kontribuesit:
INTESA SANPAOLO BANK/Albania
1057431801 Al 68208110080000001057431801 LEK
1057431802 Al 41208110080000001057431802 EUR
(BalkanWeb)