Jemi mësuar që kur dëgjojmë të flitet për gazetarë të kemi parasysh dikë që flet rrjedhshëm e pa emocione. Këta njerëz që krijojnë marrëdhënie magjike me fjalën, kamerën e mikrofonin ndezin ëndrra te shumë të rinj, duke bërë që gazetaria të duket e lehtë, por për të gjithë fillimet kanë qenë të vështira.


Julio Doku është ende në gjimnaz, por një nga ëndrrat që ka është gazetaria. Pasionet e tij janë të shumta e dilemat të mëdha, ama planet i ka që studimet t’i nisë në gazetari. Teksa studion për të arritur rezultate sa më të larta, Julio siguron të ardhura nga një faqe në Instagram.


Dëshira e tij për të qenë pjesë e Trending ishte e madhe, ndaj dhe emocionet teksa flet para kamerës nuk mungojnë. Ai nuk mund t’i fshehë emocionet si një gazetar profesionist, por është real në ndjenjën e fortë që i shkakton të qenit në një televizion të madh.


Teksa e pyet se përse e pëlqen gazetarinë, Julio përgjigjet me vetëm një fjalë: Pasioni. Në zërin që hera-herës i dridhet, e sytë me shikimin e pafajshëm, Julio fsheh pasigurinë e dilemat që çdo moshatar i tij ka. Por Julio pavarësisht pasigurive tenton t’i prekë ëndrrat e tij, i vetëdijshëm se rruga drejt tyre është e gjatë por jo e pamundur.

Disa momente në News24 i mësuan Julios shumë më tepër për gazetarinë. Disa nga më të mirët e televizionit e këshilluan se si mund të ja dalësh në këtë fushë, por gjithashtu edhe e paralajmëruan se media nuk është aq e lehtë sa duket në ekran.

Gazetarja Klodiana Lala i lëshoi karrigen e saj, duke u shprehur me nota humori se ishte i pari të cilit i la vendin.
“Do duhet të kesh shumë guxim, do duhet të përpiqesh fort, nuk mund të nisësh karrierën duke marrë whatss app-e as policie e as politike, do doja shumë të trajtoje historinë njerëzore. Lexo sa më shumë”, e këshillon Klodiana Lala gjimnazistin, duke e inkurajuar të ndjekë ëndrrën e tij.

Gazetarë të tjerë në News 24 e paralajmëruan Julion se media kërkon guxim, nerv, punë, shumë lexim, por mbi të gjitha pasion. E kur vjen puna te pasioni Julio e ka me shumicë. Jo vetëm për gazetarinë por edhe për gjithçka tjetër që bën.

(BalkanWeb)