Pas zyrtarizimit të transferimit të Phillipe Coutinhos nga Liverpooli në Barcelonë, është prononcuar trajneri i “të kuqve” Jurgen Klopp, i cili theksoi se klubi nga “Anfield” bëri përpjekjet maksimale për të mbajtur në radhët e veta brazilianin e larguar.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit, trajneri gjerman thotë se me një zemërim të thellë ndahen nga miku, një personalitet i shkëlqyer dhe një lojtar fantastik.
“Nuk është sekret se Philippe që në qershor dëshiroi të largohet, atëherë kur Barcelona shfaqi interesimin e parë. Ai ishte këmbëngulës në synimet e veta, përkundër përpjekjeve për ta bindur që të mbetet tek klubi ynë”, thotë Klopp.
Ai u tha tifozëve se klubi do të reagojë në mënyrën më të mirë, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga ish ylli i tyre i larguar. “Këtu jam një kohë të mjaftueshme dhe njoh historinë e klubit. Lojtarë kyç janë larguar edhe më parë, por klubi vazhdon tutje. Zemra dhe shpirti i klubit futbollistik Liverpool nuk mund të shiten, edhe pse jam i bindur se shumë klube do të donin ta blejnë”, tha Klopp.
Në njoftimin zyrtar të klubit katalonas thuhet se me 25-vjeçarin brazilian kanë nënshkruar një kontratë 5.5 vjeçare, ku mes tjerash qëndron klauzola për lirimin e tij e vlefshme 400 milionë euro.
Mediat britanike shkruajnë se si dëmshpërblim për Coutinhon, Liverpool do të arkëtojë 160 milionë euro, të cilat e bëjnë brazilianin lojtarin më të shtrenjtë të Barcelonës.
Në vitin 2013, Coutinho kaloi në Liverpool nga Interi për 13 milionë euro, ku regjistroi 200 ndeshje dhe shënoi 54 gola.
(BalkanWeb)