Banorët e fshatit Fullqet në Bashkinë e Klosit janë ngritur në protestë për ujin vaditës. Ndonëse jemi në mesin e muajit Korrik dhe nevojat për ujë vaditës janë të mëdha, banorët thonë se po ju thahen të mbjellat. Sipas banorëve, shkak bëhen hidrocentralet e ndërtuara në fshatin Xibër të cilat nuk respektojnë kontratën e përdorimit të ujit nga data 15 Maj deri me datë 15 Shtator.
Të gjendur në situatë të vështirë dhe pa një zgjidhje konkrete nga pushteti vendor në Klos, banorët kanë protestuar, duke kërkuar që të ndërhyhet sa më parë dhe të bëhet i mundur që uji vaditës të shkojë në fshat. Sipas banorëve ky është viti i parë që ndodh një situatë e tillë, që me ndërtimin e një tjetër HEC-i në Xibër, nga ku dhe marrin ujin vaditës.
Me ujin e zallit të fshatit Xibër – Hane në Xibër vaditin 4 fshatra të Klosit, si Darsi, Bel, Unjate dhe fshati Fullqet. Ky i fundit ka edhe sipërfaqen më të madhe të tokave që kultivohen me kultura të ndryshme bujqësore.