TIRANE- Deputeti i PS-së, Blendi Klosi ka komentuar deklaratat e sotme të kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke thënë se ky i fundit vazhdo ta thërrasë popullin për anarshi dhe shkelje ligji. Sipas tij, Basha çdo ditë i bën thirrje qytetarëve të mos paguajnë energjinë elektrike.

 

“Edhe sot, përmes Kryetarit të SHQUP-it, Opozita vazhdoi të bëj thirrje për anarshi dhe shkelje të ligjit.Ashtu sikurse në të gjitha ditët e fundit, ankohen pse qeveria u kërkon bizneseve dhe qytetarëve të paguajnë energjinë elektrike, e Lulzim Basha personalisht i nxit njerëzit të mos e paguajnë faturën. Ankohen pse qeveria nuk lejon zaptimin e hapësirave publike, e ndërkohë Lulzim Basha personalisht inkurajon ndërtimet pa leje. Dhe si në asnjë vend të Botës, Lulzim Basha i kërkon qeverisë së re, që vetëm në një vit, të ndreqë gjithçka që qeveria e Sali Berishës prishi dhe shkatërroi në tetë vjet rresht”, thotë Klosi.

 

Deputeti shton më tej se, “Absurdi vazhdon edhe më tej, kur mendon se vetë Lulzim Basha, në katër vite dështim të plotë si Kryetar Bashkie, nuk ka mbajtur as edhe një premtim të vetëm që u dha qytetarëve të Tiranës gjatë fushatës së katër viteve më parë.

 

Po i mbaron mandati pa mbajtur asnjë premtim dhe në vend të japë llogarinë që i takon, e ka braktisur me vetëdije detyrën ndaj qytetarëve për t’u bërë zëdhënës i SHQUP-it, i Saliut dhe i të gjithë atyre që s’duan të paguajnë dritat, atyre që kërkojnë anarshi dhe shkeljen e ligjit. Kjo është një betejë mes Shqipërisë së re që po rilind përmes reformave dhe Shqipërisë së vjetër informale që nuk do të ndahet nga rruga e rrënimit! Kjo është një betejë mes Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe Aleancës për Anarki e Vetëshkatërrim në mes të Europës. Kjo është beteja mes nesh që duam që Shqipëria të bëhet, e flasim që shqip dhe atyre që mendojnë se ky është një vend pa shpresë e që flasin shqup”.

 

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: