TIRANE– Lufta kundër informalitetit dhe shëndoshja e skemës së sigurimeve shoqërore kanë qenë temat e takimit që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi sot me drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe inspektorët e bujkut nga i gjithë vendi. Në fjalën e tij, ministri Klosi evidentoi faktin se informaliteti më i madh në tregun e punës është në fshat.

Ndaj, ka bërë të ditur ai, fushata e luftës kundër informalitetit që ka filluar qeveria duhet të shtrihet edhe në këtë drejtim, për të bërë të mundur që të shtohet numri i të siguruarve, por edhe të rriten të ardhurat në skemën e sigurimeve shoqërore.

“Shtimi i numrit të të siguruarve dhe i sasisë së kontributeve të derdhura duhet të jetë deviza dhe synimi ynë parësor. Në Shqipëri ka një informalitet shumë të lartë në punë dhe këtë nuk e gjejmë në statistikat e Inspektoratit të Punës, por në statistikat e INSTAT-it dhe të organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një ndër arsyet kryesore është fakti se statistikisht, informaliteti në punë më i lartë është ai në bujqësi”, – tha ministri Klosi.

Për këtë situatë ai ka theksuar se një përgjegjësi të madhe kanë inspektorët e bujkut, të cilët duhet të merren drejtpërdrejt me futjen e të vetëpunësuarve apo të vetëdeklaruarve në skemë. Sipas tij, realizimet në këtë drejtim për vitin 2015 kanë një rënie krahasuar me një vit më parë.

“Në fillim të vitit 2015, pothuajse në të gjithë punën e inspektorëve të sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi ka pasur një frenim të punës duke iu kënaqur rezultateve dhe realizimeve të vitit 2014. Pagesat e ditëve të fundit të vitit 2014 dhe të kaluara si të ardhura për muajin janar viti 2015 krijuan vetëkënaqësi, duke filluar nga inspektorët e Sigurimit të të Vetëpunësuarve në Bujqësi, te koordinatorët, kryetarët e degëve dhe deri te drejtorët e rajoneve”, – theksoi Klosi.

Nisur nga ky fakt, ministri Klosi ka deklaruar se duhet të ketë një kërkesë llogarie më të lartë, duke përfshirë edhe largimin nga puna të inspektorëve të cilët nuk e kanë realizuar detyrën e tyre. Gjithashtu, për të ndryshuar situatën dhe për të rritur numrin e individëve të siguruar në fshat, ministri ka kërkuar marrjen e një sërë masash të menjëhershme, duke filluar që nga rritja e bashkëpunimit të MMSR-së, ISSH-së dhe të DRSSH-së me institucionet e tjera si: Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Shtetit për Çështjet Vendore.

Në kuadër edhe të zbatimit të reformës territoriale dhe organizimit të ri që lindi prej saj, ministri ka kërkuar që drejtorët e drejtorive rajonale të Sigurimeve Shoqërore të informojnë kryetarët e bashkive për skemën e sigurimeve shoqërore në zonat rurale, me qëllim rritjen e bashkëpunimit për sigurimin e të gjithë fermerëve të zonës që mbulojnë bashkitë përkatëse.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: